Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve profesionale të shërbimeve të Policisë Vlorë, është parandaluar përshkallëzimi i një ngjarjeje të rëndë në fshatin Fitore, njësia administrative Novoselë.
Policia ka vënë në pranga shtetasin B. S., 46 vjeç, banues në fshatin Fitore, i cili akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe ka kanosur bashkëjetuesen e tij me një mjet prerës (thikë), duke i kërkuar që të tërhiqte kërkesën për urdhër mbrojtjeje ndaj tij.
Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit për rastin e dhunës, duke arrestuar 46-vjeçarin në flagrancë. Gjatë kontrollit fizik, atij iu sekuestrua mjeti prerës që kishte përdorur për ta kanosur.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. 46-vjeçari do të përballet me akuzat për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Kanosja për të mos kallëzuar”.
Policia vijon apelin për denoncimin e çdo rasti të dhunës në familje, duke garantuar ndërhyrje të menjëhershme për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e rasteve të rënda.