Tërmeti në Stamboll – 151 të plagosur psi u hodhën nga lartësia prej panikut
- 23 April, 2025


Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë ka goditur mesditën e së mërkurës qytetin e Stambollit, duke shkaktuar panik në radhët e qytetarëve dhe plagosjen e 151 personave. Sipas autoriteteve, shumica e të lënduarve janë hedhur nga lartësitë për shkak të frikës gjatë lëkundjeve sizmike.
Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, vizitoi selinë e emergjencave dhe menaxhimit të fatkeqësive (AFAD) për të ndjekur nga afër situatën dhe për të marrë informacion mbi masat e marra në terren. Në një deklaratë zyrtare nga zyra e tij, u theksua se, deri në orën 15:30, nuk është regjistruar asnjë humbje jete dhe nuk janë shënuar dëmtime në infrastrukturë, furnizim me energji elektrike, gaz natyror, ujë të pijshëm apo sistemin e kanalizimeve.
“Të gjitha institucionet përkatëse janë në veprim. Asnjë nga të plagosurit nuk është në rrezik për jetën. Situata është nën kontroll dhe nuk ka pasur ndonjë ndikim të rëndësishëm në jetën e qytetarëve,” thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, në lagjen Fatih është shembur një ndërtesë e braktisur, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima apo persona të lënduar. Autoritetet kanë nisur kontrolle nëpër ndërtesat e qytetit për të garantuar sigurinë e strukturave dhe për të shmangur ndonjë rrezik të mëtejshëm.
Regjistrohu në buletinin tonë informativ