Laert Vasili rrëfen se nuk do ta ribënte eksperiencën e Big Brother: Jam ndjerë i përdhosur! Ish-banori paralajmëroj padi ndaj ish-banorëve?
Aktori Laert Vasili, i cili u rendit i treti në finalen e edicionit të fundit të Big Brother VIP, ka rrëfyer për herë të parë pas daljes nga shtëpia përjetimet dhe zhgënjimet e tij gjatë dhe pas qëndrimit në reality show. Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, Vasili u shpreh se, pavarësisht përfundimit në finale, eksperienca për të ka qenë e rëndë dhe aspak e përsëritshme.
“Kështu e kisha parashikuar edhe unë finalen. Më vjen mirë që eci në rrugë dhe ‘s’agapo Laerti’ është bërë lajtmotivi i ri, falë nënës sime. Të gjithë më shtrëngojnë dorën me dashamirësi,” tha ai, duke vënë theksin te mbështetja që ndjen nga publiku.
Megjithatë, aktori zbuloi se brenda shtëpisë ka kaluar momente shumë të vështira dhe se emri i tij është përdhosur nga ofendimet dhe sulmet verbale të banorëve të tjerë. Ai njoftoi se përfaqësuesit e tij ligjorë janë duke shqyrtuar mundësinë e ngritjes së një padie për shpifje dhe fyerje.
“Ka pasur aq shumë ofendime sa mund të shkojnë në ndjekje penale. Atë do ta mendojnë përfaqësuesit e mi ligjorë. Jam ndjerë i përdhosur, i përbaltur, është prishur imazhi im sidomos ai profesional. Ishte lojë, por shumë më poshtë se niveli im. Gjendja është e rënduar, shumë e rënduar. Në asnjë mënyrë nuk do ta ribëja këtë eksperiencë, kurrë,” u shpreh aktori.
Në intervistë, Vasili foli gjithashtu për problemin personal që e shtyu të bëhej pjesë e Big Brother: çështja e banesës së tij. Ai tregoi se ndodhet në një situatë të vështirë ekonomike dhe se vendimi për të hyrë në reality show kishte lidhje direkte me përpjekjen për të siguruar zgjidhje për strehimin.
“Njerëzit më pyesin tani: ‘Çfarë do bësh, se sakrifikove katër muaj?’ Shoh sytë e nënës sime që më shohin me pikëpyetje. ‘Me shtëpinë çfarë do bësh, do ia lësh bankës?’ – kjo është pikëpyetja e saj,” rrëfeu ai, i prekur emocionalisht.