Frika nga tërmetet ka shkaktuar një eksod masiv të turistëve nga Santorini, një nga destinacionet më të njohura të Greqisë, ndërsa ishulli vazhdon të goditet nga një “breshëri” lëkundjesh sizmike.
Që nga mesdita e së hënës, linjat ajrore kanë dyfishuar numrin e fluturimeve nga Athina drejt Santorinit, për të përballuar kërkesën e lartë për largim. Sipas agjentëve të udhëtimit, biletat e reja janë shitur “brenda sekondave”, ndërsa paniku ka detyruar shumë turistë të flenë jashtë ose në makina gjatë natës.
Gjatë fundjavës, mbi 200 lëkundje nënujore kanë tronditur ishullin, ndërsa të hënën, në orën 14:17 me orën lokale, u regjistrua një tërmet me magnitudë 4.8 ballë të shkallës Rihter, më i fuqishmi deri më tani. Lëkundjet kanë shkaktuar gjithashtu rrëshqitje të tokës dhe rënien e gurëve, duke rritur edhe më shumë frikën mes banorëve dhe vizitorëve.