SPAK kërkon konfiskimin e pronave të trafikantit belg në Shqipëri

Gjykata e Posaçme ka vendosur të njoftojë shtetasin belg Dries Lonneux, i dënuar për trafik kokaine dhe drejtim grupi kriminal, lidhur me kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurive të tij të dyshimta në Shqipëri.

SPAK ka zbuluar se Lonneux kishte investuar në prona të ndryshme, përfshirë apartamente në Vlorë dhe Sarandë si dhe toka bujqësore, përmes një subjekti tregtar dhe personave të afërm, si nëna e tij, ish-bashkëshortja dhe bashkëjetuesja.

Prokurori Eneid Nakuci ka kërkuar që këto pasuri, të cilat janë nën sekuestro preventive që nga viti i kaluar, të kalojnë në favor të shtetit shqiptar. Seanca gjyqësore për këtë rast është planifikuar për mars 2025.

Dries Lonneux, i dënuar në Belgjikë me 12 vite burg, ishte pjesë e një rrjeti që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës. Në hetimin “Farmaceutika” në Belgjikë, autoritetet bllokuan 1.9 tonë kokainë. Gjatë gjyqit, Lonneux refuzoi të fliste, duke pretenduar se lideri i grupit ishte një shtetas shqiptar.