“M’u shpif televizioni” – Roza Lati tregon pse u tërhoq nga ekrani: Iu dha e drejta të moderojnë njerëzve pa përvojë dhe që nuk dinë të flasin!
Moderatorja e njohur Roza Lati ka thyer heshtjen lidhur me largimin e saj nga televizioni dhe mungesën në ekran prej disa kohësh. Nëpërmjet një sërë postimesh në InstaStory, ajo ka rrëfyer publikisht arsyet që e çuan të largohej nga media, duke ndarë momente të vështira personale dhe duke mos kursyer thumbimet ndaj kolegëve në ekran.
Pas përfundimit të emisionit të saj “Why Not?”, Roza tregon se është përballur me humbje të mëdha personale që e tronditën emocionalisht. “Vdiq Petit, vdiq Sasha (i referohet qenushëve të saj), vdiqa vetë (i referohet foshnjës që humbi)”, shkruan ajo me dhimbje.
Por përtej sfidave personale, moderatorja theksoi se ajo që e largoi më shumë nga televizioni ishte rënia e cilësisë në ekran dhe fakti që rolin e moderatorit e kanë marrë njerëz pa përvojë dhe pa aftësi komunikimi.
“Vura re që po i jepej e drejta të drejtonin emisione njerëzve që nuk kanë magjinë e fjalës dhe artin e komunikimit… u vendoset kufja në vesh dhe publiku nuk e kupton”, – shkruan Roza, duke kritikuar ashpër mënyrën si funksionon sot tregu i televizioneve në Shqipëri.
Në vijim, ajo shprehu zhgënjimin edhe për ofertat që i janë bërë për të moderuar programe me pagesa të ulëta dhe me kushte aspak profesionale.
“Rroga qesharake, përqindje qesharake, pazari i të drejtuarit program ra… Profesionisti kushton, nuk do të drejtoj programe falas vetëm për famë”, – theksoi ajo.
Aktualisht, Roza është larguar nga televizioni për të fokusuar jetën e saj tek ajo që e quan “pasuria më e madhe e njeriut”: familja, partneri dhe qenushat e saj të rinj.
Megjithatë, ajo nuk përjashtoi rikthimin në ekran, duke u shprehur se do të ndodhë atëherë kur publikut “t’i shpifet me atë që po shet sot ekrani televiziv” dhe të ndjejë vërtet mungesën e saj.
“Do rikthehem, patjetër. Kur t’ju marrë malli për mua në ekran. Do rikthehem jo vetëm unë, por edhe profesionistë të tjerë që janë larguar si unë.”