GJKKO jep vendimin për shefin e policisë rrugore Tiranë, Roven Zeka, lehtësohen pozitat e Sokol Novakut
Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e arrestit me burg për shefin e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Roven Zeka.
Masa u zbut në arrest shtëpie për shefin e Hetimit të Aksidenteve, Sokol Novaku, për shkak të rrethanave familjare.
Shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, shefi i aksidenteve Sokol Novaku dhe oficeri i Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku, dyshohen për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
Ata dyshohet se kanë marrë ryshfet në lidhje me një aksident të regjistruar më 16 Prill në Tiranë, ku automjeti që drejtohej nga shtetasja Anisa Vrioni është përplasur me një automjet tjetër ku udhëtonin 5 persona, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital.
Roven Zeka mbërriti në krye të komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë në Dhjetor të 2024, pasi më herët kishte shërbyer në qytetin e Elbasanit.
Ai ishte pjesë e trupës që ripërtëriu 48 drejtuesit e komisariateve në vend sipas modelit të emërimit me konkurrim, që u aplikua për herë të parë pas ndryshimeve ligjore dhe pas emërimit të Ilir Prodës në krye të Policisë së Shtetit.