“Lumë” dollarësh në baste për zgjedhjen e Papës, fitohet çmimi marramendës pas emërimit të Leoni XIV

Një grusht bastesh morën shuma të mëdha parash me zgjedhjen e udhëheqësit të ri të Kishës Katolike, Robert Francis Prevost, i cili konsiderohej një kandidat me shanse të pakta në tregjet e parashikimeve gjithnjë e më të njohura të cilat u lejojnë përdoruesve të vënë baste mbi ngjarjet e lajmeve.

Mbi 40.4 milionë dollarë u luajtën nga bastëvënësit, ku shumë prej tyre dështuan në parashikimin e tyre. Por kishte edhe nga ata që fituan dhe morën çmime të shumta.  Në krye të këtyre fituesve ishte një fitim marramendës prej 63,650 dollarësh nga një bast prej 1,059 dollarësh nga një përdorues i quajtur “JustPunched”.

Rivali i “Polymarket”, Kalshi, tha se një lojtar bastesh në platformën e tij mori një pagesë prej 52,641 dollarësh nga një bast prej 526 dollarësh. Prevost ishte një kandidat me shanse të pakta në të dyja faqet përpara se kisha të shpallte përzgjedhjen e tij, me vetëm 1.6% dhe 1.8% shanse të nënkuptuara nga tregu për t’u bërë Papa i ardhshëm.

Kjo do të thotë që një bast prej 170 dollarësh në “Prevost” do të kishte sjellë një pagesë prej afërsisht 10,000 dollarësh. Kardinali italian Pietro Parolin ishte favoriti i basteve në të dyja faqet përpara përfundimit të konklavit. Të paktën nëntë lojtarë në Polymarket humbën 10,000 dollarë ose më shumë duke vënë baste në përzgjedhjen e Parolin.

I lindur në Çikago dhe i diplomuar në Universitetin Villanova, 69-vjeçari Prevost është Papa i parë amerikan. Kalshi, Polymarket dhe platforma të tjera të tregut të parashikimeve u bënë të njohura gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, konkretisht për shkak të animit më të madh të faqeve drejt fitores së Trump sesa modeleve të bazuara në sondazhe. Investitorët e Kalshi përfshijnë miliarderët amerikanë Henry Kravis dhe Charles Schwab, dhe Donald Trump Jr., djali i Presidentit Donald Trump, është një këshilltar strategjik i kompanisë.