Kurti: Normalizimi i raporteve me Serbinë të mos përzihet me KiE-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE). Nëse përzihen, tha Kurti, dëm do t’i shkaktohej edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që zhvillohet në Bruksel, edhe Këshillit të Evropës si “institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Sipas një deklarate që lëshoi zyra e tij, Kurti i bëri këto komente në një takim me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it: SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg” dhe se “procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit – vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon”, thuhet në deklaratën për media.

Ditëve të fundit ka pasur raportime se Franca dhe Gjermania po përgatiten ta bllokojnë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si rezultat i një fushate të bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Kjo organizatë – lidere në Evropë për të drejtat e njeriut – pritet të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.

Në favor të Kosovës, muajin e kaluar, votoi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti iu tha përfaqësuesve ndërkombëtarë se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe se i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në Këshill të Evropës.

“Me letrën e garancisë, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”, citohet të ketë thënë Kurti.

Tash për tash nuk ka ndonjë reagim nga përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, por ata, vazhdimisht, i kanë bërë thirrje Kosovës që të bëjë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke formuar fillimisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. /REL