Kryeministri francez në qendër të një skandali! E bija rrëfen dhunën në shkollë, kërkohet dorëheqja e tij
Kryeministri francez François Bayrou ndodhet përballë një stuhie politike dhe publike pasi vajza e tij, Hélène Perlant, ka publikuar rrëfime tronditëse për dhunën që ka përjetuar në shkollë gjatë viteve 1980, në kohën kur ai ishte ministër i Arsimit.
Në librin e saj të titulluar Le Silence de Bétharram (Heshtja e Bétharram), Perlant – sot 53 vjeçe – zbulon se ishte viktimë e dhunës fizike në një shkollë katolike private në Pirenej, Notre-Dame de Bétharram, ku më vonë punoi edhe nëna e saj si mësuese. Në një intervistë për revistën Paris-Match, ajo rrëfen një ngjarje dramatike në një kamp veror: “Një natë, ndërsa po shtronim thasët e gjumit, At Lartiguet më kapi nga flokët, më tërhoqi zvarrë disa metra dhe më goditi me grushta e shqelma.”
François Bayrou, 73 vjeç, është shprehur se ishte “i tronditur” kur mësoi për përmbajtjen e librit, duke pohuar se nuk kishte dijeni për abuzimet e përhapura në atë shkollë, megjithëse media franceze ka publikuar intervista me dëshmitarë që pretendojnë se ai dhe bashkëshortja e tij ishin paralajmëruar për ngjarjet. Një ish-mësuese e matematikës madje ka deklaruar se i kishte informuar drejtpërdrejt Bayrou-n dhe gruan e tij, por fjalët e saj ishin injoruar.
Deputetët e opozitës së majtë kanë kërkuar dorëheqjen e tij, duke e akuzuar për mashtrim ndaj parlamentit dhe për heshtje të qëllimshme përballë abuzimeve të rënda. Prokuroria shtetërore po heton rastin për dështimin e mundshëm të kryeministrit për të raportuar abuzimet e pretenduara.
Rrëfimi i Perlant ka ndezur një debat të ri mbi mënyrën si Franca ka trajtuar historikisht dhunën dhe abuzimin seksual në institucione. Prokurorët po shqyrtojnë aktualisht 200 padi nga ish-nxënës të shkollës mes viteve 1957 dhe 2004, prej të cilave 90 lidhen me abuzim seksual. Megjithatë, shumica e rasteve nuk do të shkojnë në gjykatë për shkak të afatit të parashkrimit në legjislacionin francez.
Vetëm një ish-punonjës i stafit është akuzuar deri tani, për ngacmim seksual ndaj një 15-vjeçari në vitin 2004 dhe për përdhunim të një të mituri në vitet 1990.
Skandali vjen në një kohë kur Franca po përballet me presione gjithnjë e më të mëdha për të reformuar mënyrën e trajtimit të abuzimit seksual, veçanërisht pas lëvizjes MeToo dhe skandaleve të tjerë të bujshëm si rasti i Dominique Pelicot dhe procesi gjyqësor ndaj aktorit Gérard Depardieu.
Bayrou pritet të dëshmojë muajin e ardhshëm para një komisioni parlamentar që po heton dhunën në shkolla, ndërsa presioni për dorëheqjen e tij sa vjen e rritet.