Këngëtarja shqiptare rrëfen tmerrin nga tërmeti në Stamboll: Isha në spital me babain…

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 goditi të mërkurën Stambollin, duke shkaktuar panik mes banorëve, megjithëse nuk ka raportime për të lënduar apo dëme materiale deri më tani. Mes atyre që përjetuan momentet e frikshme ishte edhe këngëtarja dhe modelja e njohur shqiptare, Morena Taraku.

Prej vitesh e vendosur në Turqi, Morena ka ndarë përmes rrjeteve sociale ndjesitë e saj nga kjo përvojë tronditëse. Ajo ndodhej në spital së bashku me të atin kur ndodhi tërmeti, dhe ka përshkruar çastin si një skenë e një filmi dramatik.

“Isha në spital me babain tim, vetëm pak larg tij, kur papritur ndjeva tërmetin. Vrapova brenda duke thirrur ‘babi, babi, babi’, derisa kapa dorën e tij dhe dolëm jashtë. Skena ishte e papërshkrueshme si një film, ju betohem. Zoti e bekoftë. Nuk e kisha menduar kurrë se në përballje me vdekjen, do të shkoja diku pa të. Nuk di çfarë të them tjetër… Uroj që Zoti t’i mbrojë të gjithë dhe mos të ndodhë asgjë e keqe. Jam ende e traumatizuar, por jemi mirë. Faleminderit të gjithëve për dashurinë dhe kujdesin”, ka shkruar Morena.