Kina nuk do të dërgojë më fëmijë për birësim jashtë shtetit

Kina nuk do t’i dërgojë më fëmijët jashtë shtetit për birësim, duke përmbysur një rregull prej më shumë se tre dekadash që ishte i rrënjosur në politikën e saj dikur strikte për një fëmijë. Më shumë se 160,000 fëmijë kinezë janë birësuar nga familje në të gjithë botën që nga viti 1992, kur Kina hapi dyert e saj për birësimin ndërkombëtar.

Rreth 82,000 nga këta fëmijë, kryesisht vajza, janë birësuar në Shtetet e Bashkuara, sipas China’s Children International (CCI). Por ende mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me familjet që aktualisht janë në proces të birësimit të fëmijëve nga Kina.

Në mesin e të prekurve është familja Welch, e cila ka më shumë se katër vjet që ka pritur për të sjellë vajzën e tyre, Penelope, në shtëpi nga Kina. Welches, nga Louisville, Kentucky, filluan prodecurat e tyre të birësimit në vitin 2017 kur mirëpritën një vajzë njëvjeçare nga Kina.

Lidhja e tyre me vendin dhe dëshira e tyre për të ndihmuar fëmijët i shtyu ata të fillonin procesin e birësimit të një fëmije tjetër, Penelope, në vitin 2019. Familja plotësoi të gjitha dokumentet e nevojshme për birësimin. Pandemia e COVID-19 në vitin 2020 ndaloi planet e tyre kur Kina pezulloi udhëtimet në hyrje, por atyre iu tha se procesi do të rifillonte. “Ne u përgatitëm, blemë rroba të reja për të. Shtrati i saj ishte gati që nga janari i 2019. Ne punuam për gjuhën. Ushtruam të bënim ushqim kinez që ajo do të donte. Bëmë të gjitha gjërat dhe ishim gati, por telefonata nuk erdhi kurrë.”

Një fotografi dërguar Aimee nga mbikëqyrësi tregon Penelope duke vizatuar në një tabelë fshirjeje të thatë. 6-vjeçarja përshkroi të ardhmen e saj me nënën e saj adoptuese, duke shkruar “Mami” në kinezisht dhe anglisht.

“Në vitet që kaluan, ne kishim mundur të bënim disa video biseda me të. Është me të vërtetë një privilegj i veçantë. Ne kemi qenë në gjendje t’i dërgojmë dhurata për ditëlindjen asaj. E dimë që ajo është prej pesë vitesh, më ka quajtur mama. Ajo mban një batanije me vete kudo që ka një fotografi të familjes sonë, kështu që në mendjen e saj, ne jemi familja e saj dhe ajo na pret.”

Ndryshimi i rregullit vjen pasi politikëbërësit kinezë përpiqen të inkurajojnë çiftet e reja të martohen dhe të kenë fëmijë pasi popullsia ra për dy vjet rresht. Kina ka një nga nivelet më të ulëta të lindjeve në nivel global dhe është përpjekur të stimulojë gratë e reja që të kenë fëmijë. Megjithatë, shumë prej tyre janë shtyrë nga kostoja e lartë e kujdesit për fëmijët, shqetësimet për sigurinë e punës dhe perspektivën e tyre në të ardhmen, ndërsa rritja në ekonominë e dytë më të madhe në botë ngadalësohet.

“Unë, nuk do të ndalem dhe shpresoj që as të tjerët nuk do ta bëjnë këtë. Por komunikimi që morëm ishte i qartë. Zëdhënësja e ministrisë në Kinë e bëri të qartë se ata po i japin fund birësimeve. Dhe njoftimi se iu dha Departamentit të Shtetit, i cili përfshinte birësimet në pritje nuk është përgjigja që ne prisnim.”

Kina zbatoi një politikë rigoroze për një fëmijë nga 1979-2015 për të zvogëluar popullsinë e saj. Kur familjet u kufizuan të kishin vetëm një fëmijë, shumë prej tyre zgjodhën të mbanin fëmijë meshkuj, të cilët tradicionalisht pritet të jenë kujdestarët kryesorë për familjet e tyre, dhe të heqin dorë nga femrat për birësim.

“Është një derë e mbyllur. Ne jemi të vetëdijshëm se është kjo vajzë e vogël në anën tjetër të botës që na mendon ne si familjen e saj dhe që ne kemi bërë një premtim për të , dhe ne duhet të vazhdojmë të shpresojmë për të apeluar vendimin që është marrë dhe për të mbrojtur këta fëmijë të cilëve u është premtuar një familje.”

Masa e Kinës për të ndaluar birësimet ndërkombëtare vjen pasi Holanda në maj i ndaloi qytetarët e saj të birësojnë fëmijë nga vendet e huaja. Në Danimarkë, njerëzit nuk do të jenë më në gjendje të birësojnë fëmijë nga jashtë, pasi agjencia e vetme e birësimeve tha se po i ndalonte operacionet.