Kapet 34-vjeçari nga Lushnja, transportonte drogë për grupet kriminale! Pritet ekstradimi në Itali

Një 34-vjeçar nga Lushnja ka rënë në prangat e Forcës Operacionale të Policisë së Fierit, si pjesë e një operacioni të koduar “Transportuesi”, për llogari të autoriteteve italiane.

I arrestuari, shtetasi K. M., ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Milanos, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, sipas Kodit Penal italian.

Arrestimi i tij u realizua pas aksioneve intensive të Policisë për të kapur shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier lokalizuan dhe ndaluan 34-vjeçarin.

Sipas hetimeve, K. M. kishte rolin e transportuesit të lëndëve narkotike për llogari të grupeve kriminale, duke ndihmuar në shpërndarjen e drogës drejt tregjeve evropiane.

Aktualisht, Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për procedurat e ekstradimit të tij në Itali, ku do të përballet me drejtësinë për aktivitetin e tij kriminal.