Irani sulmon me raketa Izraelin

Irani sulmoi me raketa Izraeli këtë të martë, diçka që ishte paralajmëruar më herët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.BBC shkroi se mbi Tel Avivin u dëgjuan sirenat e luftës ndërsa edhe në Jeruzalem pati disa shpërthime. Ushtria izraelite apeloi qytetarët që të qëndronin në gatishmëri dhe të ndiqnin me përpikmëri instruksionet.

Ju kërkohet të qëndroni në një strehë deri në një njoftim tjetër. Shpërthimet që po dëgjoni ndodhin nga interceptimet në ajër ose predhat që bien. Ushtria po vazhdon të identifikojë dhe interceptojë raketat”, deklaroi forca mbrojtëse e Izraelit.

Pas rreth një ore pasi dha këtë njoftim, ushtria izraelite doli sërish në një deklaratë ku tha se qytetarët mund të dalin nga strehëzat e mbrojtjes, por gjithsesi të ndiqnin udhëzimet e tyre. Kjo siç duket shënoi edhe fundin e sulmit të Iranit.

Izraeli tha se sistemi i saj i mbrojtjes ajrore ishte plotësisht funksional. Po ashtu zëdhënësi i ushtrisë u shpreh se deri më tani nuk ka raportime për ndonjë të lënduar nga sulmi. Ai deklaroi se sulmi ishte i rëndë dhe do të ketë pasoja.

Nisja e sulmit u konfirmua edhe nga agjencia shtetërore e lajmeve në Iran, IRNA, e cila tha se ushtria nisi një sulm me raketa balistike kundër Izraelit.

Ata publikuan një deklaratë të Gardës Revolucionare Islamike duke konfirmuar lëshimin e dhjetëra raketave kundër Izraelit dhe duke kërcënuar me një sulm tjetër nëse Izraeli përgjigjet. Reuters thotë se drejt Izraelit u lëshuan rreth 200 raketa.

Garda Revolucionare e përshkroi sulmin si një përgjigje për vrasjen në Korrik të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah të premten dhe vrasjen e popullit libanez e palestinez.

Në deklaratë thuhej se forca e saj ajrore shënjestroi baza të rëndësishme dhe do të bëjë publike detaje të tjera më vonë.