Hapen të gjitha pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, pas largimit të bllokadave

Të gjitha pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë hapur për qarkullim të plotë dhe të papenguar, pas bllokadave në pjesën serbe të kufirit të shtunën pasdite.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë hapur dy pikat kufitare që autoritetet kosovare i kishin mbyllur të premten mbrëma, në Bërnjak dhe Merdare. Pikëkalimi në Jarinjë u hap mëngjesin e së shtunës.

Rihapja e tyre vjen pasi shoqatat serbe i hoqën të gjitha bllokadat që i kishin vendosur të premten pasdite për të protestuar kundër mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe.

“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, tha Sveçla në Facebook.

Dragisha Miriçi, kryetar i Shoqatës Koreni në Serbi, njoftoi të shtunën pasdite se bllokada në Merdare është hequr.

Miriç tha se shoqata e tij do të presë deri më 1 tetor për plotësimin e kërkesave të tyre nga autoritetet kosovare dhe paralajmëroi bllokadë të re kufitare, nëse kërkesat e serbëve nuk plotësohen.

Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.

Të shtunën në mëngjes, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se në Jarinjë nuk më pengesa në qarkullimin e të gjitha automjeteve në të dyja anët e kufirit.

“Në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Jarinjë, është duke u zhvilluar pa problem qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës”, tha Elshani.

Xhelal Sveçla tha të premten se këto dy pikëkalime në Merdare dhe Bërnjak ishin mbyllur pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit i kishin “ndaluar në mënyrë selektive e me qasje fashiste” qytetarët që donin të kalonin transit përmes Serbisë.

Sveçla tha se e gjithë kjo ka ndodhur “para syve të policisë serbe”.

Ekipi i REL-it ka parë persona të maskuar afër bllokadës të vendosur në pjesën serbe të kufirit në Bërnjak natën e së premtes.

Shoqatat serbe i vendosën këto bllokada në anën serbe të kufirit me Kosovën si shenjë proteste ndaj mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare më 30 gusht.

Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.

Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve.

Por, Qeveria e Kosovës thotë se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

BURIMI: RADIO EUROPA E LIRË

Check Also

Deputetët ankohen për cilësinë e ushqimit në burgje/ Drejtori i Burgjeve Klevis Qose: E kam ngrënë edhe vetë bashkë me ministrin! Të dënuarit marrin gatime nga jashtë

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë, ka treguar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *