Kryeministri i ri francez Michel Barnier u zotua se do të mbrojë disa nga politikat e presidentit Emmanuel Macron, por sinjalizoi se do të ashpërsojë qëndrimin e qeverisë ndaj emigracionit.
“Ka ende një ndjenjë se kufijtë tanë dhe flukset migratore nuk po kontrollohen. Nuk kam shumë të përbashkëta me ideologjitë e tubimit kombëtar, por e respektoj atë.”
Duke dhënë intervistën e tij të parë si shef i qeverisë pas emërimit të tij të enjten, Barnier tha se qeveria e tij, së cilës i mungon një shumicë e qartë në një dhomë të ulët të parlamentit, do të përfshijë konservatorë, si dhe anëtarë të kampit të Macron. Anëtarë nga grupime të tjera, duke përfshirë të majtën, sipas tij janë gjithashtu të mirëpritur për të mbështetur qeverinë e re.
“Do të ketë njerëz nga familja ime politike pra ajo e krahut të djathtë. Do të ketë burra dhe gra me vullnet të mirë që i përkasin shumicës në largim. Dhe pastaj, përtej kësaj, ndoshta edhe njerëz të tjerë. Ne duhet të hapim derën për të gjithë ata që e duan atë.”
Duke sinjalizuar gatishmërinë e tij për të mbajtur disa nga politikat e reformës gjerësisht jopopullore të Macron, që ka të ngjarë të përfshijnë marrjen përsipër të disa prej rreziqeve, Barnier tha se nuk ishte i përgatitur të anulonte rritjen e moshës së pensionit në 64 nga 62 vjeç pasi sipas tij ky ligj u miratua në kushte shumë të vështira kërkonte debate.
Emërimi i 73-vjeçarit Barnier, një konservator dhe një ish-negociator i Brexit, mbylli një kërkim dy-mujor pas vendimit të Macron për të thirrur një zgjedhje legjislative që solli një parlament të ndarë dhe shkaktoi një ngërç politik. Ai përballet me detyrën e vështirë atë të përpjekjes për të drejtuar reformat dhe buxhetin e 2025, pasi Franca është nën presionin e Komisionit Evropian dhe tregjeve të bonove për të ulur defiçitin e saj.
Ndërkaq partitë e majta kanë bërë thirrje për demonstrata gjatë fundjavës për të protestuar kundër atyre që ata i quajtën zgjedhje të vjedhura për shkak të vendimit të Macron për të mos emëruar një kryeministër nga radhët e tyre, pavarësisht se blloku ka fituar më shumë vota.