Fshehu armë në banesën e të moshuarës së sëmurë, shpallet në kërkim 20-vjeçari që ndihmonte grupet kriminale

Policia ka goditur një rast të fshehjes së armëve të zjarrit për llogari të grupeve kriminale, pas një hetimi dymujor. Gjatë operacionit të koduar “Parandalimi”, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri kallashnikov në një banesë në Memaliaj.

Hetimet kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasin S. Q., 20 vjeç, i dyshuar për fshehjen e armëve në banesën e një shtetaseje të moshuar, e cila ka probleme të shëndetit mendor. Armët do t’i nënshtrohen ekspertizës nga Instituti i Policisë Shkencore për të përcaktuar nëse janë përdorur në veprimtari kriminale.

Në vijim të hetimeve, Policia po punon për kapjen e S. Q. dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.