Emigrantët votojnë për herë të parë! Nis sot shpërndarja e zarfeve drejt 85 vende të botës

Ka nisur dërgimi i materialeve zgjedhore për shtetasit shqiptarë që do të votojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Zgjedhësit në vendet e Europës mund t’i kenë në shtëpi për 48 orë. Të parat janë nisur fletët e votimit për zgjedhësit jashtë vendit të qarkut Dibër dhe Berat.

Në fillim vuloset fleta e votimit, vendoset në një zarf, më pas vendoset në zarfin e KQZ-së, bashkë me një udhëzues se si do të votojnë, si dhe një listë me kontaktet e korrierëve që mund të thërrasin pasi të kenë kryer procesin e votimit.

Procesi:

Fleta e votimit e qarkut nga ku vjen qytetari, pasi është vulosur dhe futur në një zarf të anonimizuar A, futet pastaj në një zarf më të madh B, i cili mban të dhënat e koduara të çdo zgjedhësi. Më pas kompania postare e merr zarfin B, e fut në zarfin e verdhë të postës, bashkë me një udhëzues, një listë me kontakte të kompanisë nëpër botë, si dhe një zarf tjetër postar për kthimin e votës.

Kompania postare bën mbylljen e zarfit me kodet e adresës, dhe pastaj i merr në dorëzim ato për t’i shpërndarë në 85 shtete të botës. Aktualisht janë përgatitur rreth 10 mijë sete, dhe dërgesa e parë pritet të bëhet ditën e sotme, duke shënuar për herë të parë për Shqipërinë, “votat e hershme”, pasi praktikisht nga e marta e tutje, dikush mund të votojë pa pritur 11 majin.

Janë disa qarqe si Kukësi, Dibra, Vlora e të tjera, për të cilat ka përfunduar përgatitja e materialeve dhe ato dërgohen menjëherë me postë. Me përjashtim të pak fletëve të votimit në Fier, ka përfunduar vulosja e 245 mijë fletëve dhe futja e tyre në zarfin e parë A.

Ata që janë refuzuar, apo nuk janë regjistruar në KQZ, vijojnë ta kenë emrin në listën e zgjedhësve në Shqipëri dhe mund të vijnë fizikisht të ushtrojnë të drejtën e votës. Për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, procesi i votimit nis nesër, pasi diaspora që ndodhet në Greqi e Itali do të marrë që sot fletën e votimit nëpërmjet postës.

Dërgimi parashikohet të përfundojë më 17 Prill dhe iu mbërrin emigrantëve për 1-3 ditë. Emigrantëve shqiptarë iu sugjerohet që brenda 3 ditëve nga marrja e zarfit ta postojë në KQZ, pasi zarfet që vijnë pas orës 19:00 më datë 11 maj, nuk do të numërohen