Deputet me ChatGPT!

A mund të bashkëqeverisin njerëzit dhe “makinat”?

Kjo pyetje, që dikur do të dukej si skenar i një filmi futurist, sot po merr trajta reale në Kuvendin e Shqipërisë. Disa deputetë kanë filluar të përdorin inteligjencën artificiale, konkretisht mjetin ChatGPT, për të përgatitur fjalime, për të analizuar projektligje dhe madje për të komunikuar me qytetarët në rrjetet sociale.

Në një kohë kur teknologjia po avancon me hapa të shpejtë, bashkëpunimi mes një deputeti dhe një inteligjence artificiale nuk është më një risi për lajme të huaja, por një realitet që po bëhet pjesë edhe e politikës shqiptare. Në epokën digjitale ku teknologjia po ndërthuret çdo ditë e më shumë me jetën publike dhe institucionet shtetërore, ideja e një “deputeti me ChatGPT” tingëllon si një koncept novator, por edhe sfidues.

Si do të ishte një deputet që bashkëpunon rregullisht me një inteligjencë artificiale për të hartuar ligje, për të analizuar politika, apo për të komunikuar me qytetarët? Që nga analizimi i ligjeve ekzistuese, përpilimi i fjalimeve, hartimi i propozimeve ligjore, deri te kuptimi i opinionit publik përmes analizës së të dhënave një asistencë e tillë teknologjike solli një efikasitet të jashtëzakonshëm në jetën para parlamentare.

Një nga sfidat më të mëdha për përfaqësuesit politikë është mbajtja e një dialogu të hapur dhe të vazhdueshëm me qytetarët. ChatGPT mund të ndihmojë në automatizimin e përgjigjeve për pyetje të zakonshme, duke u dhënë deputetëve më shumë kohë për të trajtuar çështje strategjike. Për më tepër, një sistem i integruar me AI mund të analizojë shqetësimet më të përhapura në rrjetet sociale dhe t’i paraqesë ato në mënyrë të përmbledhur për vendimmarrësit.

Megjithatë, përdorimi i inteligjencës artificiale në politikë ngre pyetje të rëndësishme etike. Kush është përgjegjës për një vendim të bazuar mbi analizën e AI? A duhet të bëhet publike çdo përdorim i inteligjencës artificiale nga një deputet? Transparenca, kontrolli njerëzor dhe mbikëqyrja janë thelbësore për të ruajtur besimin e qytetarëve. Nuk bëhet fjalë për zëvendësimin e deputetit me “një makinë”, por për fuqizimin e tij me mjete të reja teknologjike. Deputeti i së ardhmes mund të jetë një figurë më e informuar, më e shpejtë në reagim dhe më e lidhur me qytetarët, nëse bashkëpunon me inteligjencën artificiale si ChatGPT në mënyrë të përgjegjshme.

Përfshirja e teknologjisë në politikë nuk është më një çështje e së ardhmes, por një realitet që po formësohet sot. “Deputeti me ChatGPT” është një metaforë, por edhe një mundësi konkrete për të krijuar institucione më moderne, më të hapura dhe më efektive. Sfida e vërtetë qëndron në mënyrën se si do ta përdorim këtë teknologji me urtësi apo me pakujdesi.

Në Shqipëri, mundësia që një ditë të kemi “deputetë digjitalë” mbetet ende larg, por që politikanët tanë po bashkëpunojnë me ChatGPT kjo është tashmë një fakt.

VIJON …