Kryeministri britanik Keir Starmer viziton për herë të parë Shqipërinë, konferencë e përbashkët me Ramën në Tiranë

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë nesër, në një vizitë zyrtare të njoftuar nga kryeministri Edi Rama. Vizita e Starmer, e para e një kryeministri britanik në Tiranë, përkon me përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në kryeqytetin shqiptar më 16 maj.

Sipas agjendës së publikuar, Starmer do të pritet nga kryeministri Rama dhe në orën 12:40 do të zhvillohet një konferencë e përbashkët për mediat.

Një ditë më parë, Starmer uroi Ramën për fitoren në zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar atë si historike. “Urime Edi Rama për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin për të sjellë rezultate për njerëzit e zakonshëm në të dy vendet tona,” shkroi Starmer në një postim në rrjetin social X.