Berisha drejt “lëshimit” të vulës? Kush është shqiptaro-amerikani që do të drejtojë Partinë Demokratike… Surpriza në kampin opozitar!

Fundi i vitit që lamë pas, u shoqërua me trazira ( nëse mund të konsiderohen të tilla), në politikën shqiptare, e konkretisht në kampin opozitar, pasi Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dënoi me “arrest shtëpiak”, liderin historik të Partisë Demokratike, ish-Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha.

Sipas SPAK, Berisha, duke shfrytëzuar funksionin si drejtues i qeverisë, nxiti privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në kundërshtim me ligjin, ku përfitues kryesor ishte dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi.

Kallëzimi në SPAK për këtë shkelje, ishte bërë nga Taulant Balla, një eksponent i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Vendimi u shoqërua me protesta masive, akuza nga ana e Berishës dhe kampit opozitar për goditje politike nga kreu aktual i qeverisë, Edi Rama.

Vendimi u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë në prill të këtij viti. Ndërsa për 10 muaj tashmë, lideri opozitar vijon të vuajë dënimin në rrugën “Mustafa Matohiti”, apo siç njihet ndryshe, “Rrugica e Salës”.

Berisha nuk u ndalua në asnjë moment edhe pas kësaj mase të dhënë për të. Për pothuajse një vit, ai është aktiv, herë nga ballkoni i banesës së tij, herë nga konferencat për shtyp në lidhje Skype, e herë herë edhe përmes rrjeteve sociale.

Përtej hetimit dhe masës së sigurisë së dhënë për të, përçarja në kampin opozitar, e madje edhe brenda Partisë Demokratike, kishte kohë që kishte filluar. Djegia e mandateve shënoi edhe kulmin e kësaj sage disa vjeçare, që pas përjashtimit nga PD të disa eksponentëve të vjetër të saj.
Krahas luftës me SPAK, Berisha përballej edhe me një betejë tjetër, që ishte çështja e vulës së Partisë Demokratike. Përplasje, protesta të dhunshme, të gjithë e mbajmë mend atë se çfarë ndodhi me selinë e PD, duke e konsideruar si “tokë e xanun”, pranverën e vitit që shkoi.

Megjithatë, Gjykata i dha vulën liderit legjendar të kësaj Partie, madje deri në Gjykatë të Lartë, ku kjo e fundit e rrëzoi rekursin e Enkelejd Alibeajt. Tashmë Berisha është de facto lideri i PD-së zyrtare.

Ndërsa brenda PD-së u krijuan edhe dy fraksione të tjera, Partia Euroatlantike e Lulzim Bashës dhe Partia Djathtas e Enkelejd Alibeajt.

Mirëpo, krahas këtij historiku dhe krahas kësaj përçarjeje, Berisha, edhe pse nën masë arresti me vendim të SPAK, është ai që ka në dorë vulën e partisë më të madhe opozitare në vendin tonë. Atribute të cilat ja ka deleguar Gazmend Bardhit, deri në përfundim të masës së dhënë për të.

Teksa politika vijon dinamizmin e saj, drejtësia nga ana tjetër po ashtu, nuk mungon as vëmendja ndërkombëtare për të gjitha zhvillimet në vend.

Së fundmi Berisha duket se ka bërë një “step back” në akuzat dhe mënyrën se si qaset në daljet publike. Çka të bën të mendosh se ose ka mesazhe të dërguara në drejtim të tij për të pasur një qetësim akuzash, ose, më e mundshmja në fakt, që të tërhiqet njëherë e mirë nga drejtimi i Partisë Demokratike dhe të dorëzojë vulën.

E në fakt, ka shumë gjasa që një gjë e tillë të ndodhë. Por pyetja që lind është, nëse Berisha dorëzon stafetën, kush do ta marrë atë?
A ka gati Partia Demokratike një lider të ri? Disa zëra thonë se Salianji do të dalë si “hero” në historinë e tij dhe do të rikthehet si drejtues i kësaj partie. Zëra të tjerë thonë se Belind Këlliçi është një tjetër emër i mundshëm, edhe pse është në krahun tjetër të fraksionit opozitar, me partinë Euroatlantike të drejtuar nga ish kreu i PD, Lulzim Basha.

Por deri këtu jemi vetëm në kuadër zërash. Sepse faktet flasin ndryshe. Përgjatë gjithë kohës, po trumbetohen fytyrat dhe figurat e reja që do t’i vijnë politikës dhe institucioneve të reja.
E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Partinë Demokratike. Asnjëra nga ato që përflitet apo hidhet di hipotezë, duket se nuk do të qëndrojë.
Pasi vetë lobi amerikan, shumë i interesuar për politikën dhe drejtësinë në Shqipëri, ka bërë gati edhe kuadrot që do të marrin në dorë fatin e opozitës. Burime koefidenciale thanë për Replikë se një shqiptaro-amerikan, i mirëtrajnuar dhe me shumë potencë në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe jo vetëm, do të zbresë në tokën shqiptare për të drejtuar Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Bëhet fjalë për një shqiptaro-amerikan nga Durrësi, por me origjinë të hershme nga Himara.
Por se sa e lehtë do të jetë lëshimi i vulës dhe hapja rrugë nga ana e Berishës, kjo mbetet për t’u parë…