“Arsenal lufte” në banesën e 34-vjeçarit në Tragjas – Zbulohet armë dhe fishekë kallashnikovi! I riu përfundon në pranga

Një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje është zbuluar në qarkun e Vlorës, ku policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Nightfall 2”. Në qendër të këtij aksioni ka qenë një 34-vjeçar nga fshati Tragjas, në banesën e të cilit janë gjetur armë dhe municione luftarake.

I riu, i identifikuar si B. A., kishte fshehur në shtëpi një armë zjarri tip pistoletë me një krehër të mbushur me fishekë, si dhe dhjetëra fishekë të kalibrit kallashnikov. Policia ndërhyri në orët e mbrëmjes, pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, duke e vënë në pranga 34-vjeçarin.

Arma e sekuestruar do t’i nënshtrohet ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse është përdorur më herët në ngjarje kriminale.

Ngjarja ndodh në kuadër të kontrolleve të shtuara në territorin e Vlorës, ku policia po përpiqet të godasë aktivitetet e paligjshme që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve. Materialet i janë referuar tashmë Prokurorisë, ndërsa ndaj të arrestuarit kanë nisur hetimet.