Analiza/ Kryengritja në Siri, pse rrezikon Al-Assad nëse rebelët marrin edhe qytetin e Homsit?!

Rebelët sirianë po përparojnë me një shpejtësi marramendëse drejt Damaskut. Tashmë ata po luftojnë për të kapur dhe kontrolluar plotësisht qytetin e tretë më të madh të vendit, Homsin. Ky qytet  konsiderohet një pikë strategjike e rëndësishme pasi lidh kryeqytetin e Damaskut me veriun dhe bregdetin, aty ky ndodhet edhe qendra e sektit Alawite të Presidentit Bashar al-Assad.

Por përparim nuk po bëjnë vetëm luftëtarët e udhëhequr nga grupi islamik HTS. Trupat kurde siriane kanë marrë nën kontroll lindjen, duke pushtuar qytetin kryesor të Deir el-Zor. Kryengritësit kanë avancuar gjithashtu në jug, ku arritën një fitore simbolike duke pushtuar Deraan, vendlindjen e protestave antiqeveritare në vitin 2011, të cilat u shtypën brutalisht nga regjimi qe më pas çuan në luftën civile siriane shkruan BBC.

Nëse Homs pushtohet, Asadi është në telashe të thella pasi Damasku do të rrethohet nga kryengritësit dhe mund të jetë tepër vonë për aleatët kryesorë të Asadit, Rusinë dhe Iranin, që t’i vijnë në ndihmë, siç bënë më parë. Kujtojmë se Assad e ktheu valën e luftës së fundit pas ndihmës ajrore që mori nga Rusia.

Ushtria siriane, e demoralizuar, e papaguar dhe e rraskapitur pas vitesh të tëra lufte, nuk është në gjendje të vazhdojë dhe disa pjesë të saj nuk dëshiron të ndalojë rebelët. Në disa zona, ushtarët duket se po lënë frontin dhe po braktisin pozicionet e tyre, duke kontribuar në përparimin e mëtejshëm të ofensivës rebele.

Kujtojmë se Bashar al-Assad ka qenë në pushtet që nga viti 2000. Para tij, babai i tij, Hafez, sundoi për 29 vjet dhe po ashtu si i biri, me një grusht të hekurt. Me zhvillimet e fundit fundi i sundimit të Assad mund të jetë më afër se sa mendohet.