Aksident tragjik në Unazën e Madhe! 35-vjeçari përplas për vdekje një grua, një tjetër në spital
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e mbikalimit të Paskuqanit, në segmentin e Unazës së Madhe të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:35, kur një automjet tip “Benz” i drejtuar nga shtetasi R. Q., 35 vjeç, ka përplasur dy gra të moshës së tretë, të cilat po tentonin të kalonin rrugën nëpërmjet trafikndarëses.
Për pasojë, ka humbur jetën në vendngjarje shtetasja L. S., rreth 72 vjeçe, ndërsa gruaja tjetër, H. M., rreth 66 vjeçe, është transportuar me urgjencë në spital dhe ndodhet aktualisht nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku ka bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit në komisariat për veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për të zbardhur me saktësi rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që materialet janë referuar pranë Prokurorisë së Tiranës.