Satelitët zbulojnë armën më të madhe të Koresë së Veriut! Kim Jong-un ndërton luftanijen më të madhe në historinë e vendit
Imazhet më të fundit satelitore të siguruara nga Maxar Technologies dhe Planet Labs kanë zbuluar një zhvillim të rëndësishëm ushtarak në Korenë e Veriut.
Bëhet fjalë për ndërtimin e një luftanijeje gjigande, që mendohet të jetë më e madhja e ndonjëherë prodhuar në historinë e këtij shteti, dhe që ndodhet aktualisht në kantierin detar të Nampo-s, rreth 60 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Phenian.
Sipas analizës së publikuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), anija është rreth 140 metra e gjatë dhe ka të ngjarë të jetë një fregatë me raketa të drejtuara (FFG), e projektuar për të mbajtur raketa në tuba vertikalë lëshimi, që synojnë objektiva si në tokë ashtu edhe në det.
Analistët theksojnë se ndërtimi i kësaj fregate është pjesë e modernizimit agresiv të ushtrisë koreano-veriore nën drejtimin e Kim Jong-un. Anija pritet të jetë e pajisur me radarë me grupe faza, një teknologji që e afron Phenianin me marinat më të zhvilluara të botës.
Ndërsa mund të mos arrijë nivelin e fuqive ushtarake si SHBA, analistët besojnë se ajo përfaqëson një përparim domethënës për ushtrinë detare të Koresë së Veriut.
Luftanija është parë për herë të parë edhe në një transmetim të vitit të kaluar në Televizionin Qendror Korean (KCTV), ku vetë udhëheqësi Kim Jong-un inspektonte ndërtimin e saj. Mendohet se ajo është e aftë të lëshojë një sërë raketash dhe përmban sisteme që mund të përballojnë operacione të ndryshme ushtarake në rajon.
Pavarësisht sanksioneve të ashpra nga OKB-ja që e pengojnë Korenë e Veriut të aksesojë teknologji të avancuar, ekspertët mendojnë se lidhjet e ngushta me Rusinë pas nisjes së luftës në Ukrainë mund të kenë ndikuar në përparimin e programit ushtarak koreanoverior. Admiral në pension nga Koreja e Jugut, Kim Duk-ki, ka deklaruar se ndihma teknologjike e Moskës për sistemet raketore të kësaj fregate nuk përjashtohet.