“Ajo tradhtoi dashurinë e tij”, kush ishin çifti i shqiptarëve që humbën jetën në Florida (PAMJET)

Mediat amerikane kanë dhënë detaje për tragjedinë në një familje shqiptare Hallandale Beach në Florida. 34-vjeçari Pajtim Krasniqi dhe Sabrina bashkëshortja e tij, 27-vjeçarje u gjetën të pajetë në apartamentin e tyre në një ndërtesë shumëkatëshe luksoze.

Autoritetet thanë se oficerët iu përgjigjën një alarmi për të shtëna armësh rreth orës 12:30 të së premtes.

Çifti i shqiptarëve me origjinë nga Kosova u gjetën të pajetë.

Dyshimet janë për një vrasje-vetëvrasje.

“Përmes hetimeve është konstatuar se Sabrina Krasniqi ka qëlluar për vdekje bashkëshortin e saj përpara se t’i jepte fund edhe jetës së saj. Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre të përbashkët”, tha policia në një njoftim për media.

Policia nuk dha detaje të mëtejshme se çfarë mund të ketë çuar në këtë akt fatal.

Në pamjet e marra nga televizionet amerikane me helikopter shihet se në vendin e ngjarjes ishte një trup i mbuluar në banesë, ndërsa një tjetër në ballkon.

Vrima plumbash dukeshin edhe në një derë xhami ndërsa aty pranë kishte shenja gjaku.

Brenda apartamentit shiheshin shënjues të shumtë provash të policisë, një arush pelushi, një kuti me trëndafila me një dizajn zemre dhe një televizor që ishte ende ndezur. Një regjistrim audio i siguruar nga policia për të shtënat me armë zjarri fiksoi 5 të shtëna radhazi, të ndjekura nga një pauzë e shkurtër dhe më pas një e shtënë e gjashtë.

“Dëgjuam të bërtitura dhe ishte e frikshme”, – tha Max Braendlin, një banor i cili jeton aty pranë. “Dëgjova të shtënat dhe më pas disa minutash erdhën makinat e policisë dhe ishte një skenë e mbushur me njerëz”.

Sipas mediave amerikane çifti jetonte me qera në katin e 45-të të ndërtesës në Florida.

Motra e Pajtimit ka bërë një dedikim në rrjetet sociale për vëllanë duke akuzuar bashkëshorten e tij për aktin e rëndë.

“Festën time të Falënderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e shpenzova me miqtë. Ajo u kalua me oficerët e policisë, detektivët dhe raportet e lajmeve duke folur për vrasjen e egër dhe të pakuptimtë të vëllait tim më të vogël nga gruaja e tij. Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’i merrte jetën vëllait tim kur e qëlloi 5 plumba në gjoks.

Personi të cilit i besonte më shumë, personi me të cilin zgjodhi të kalonte jetën ishte ajo që ia hoqi atë. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllezërit e mi nuk do të jemi kurrë njëlloj. Kam frikë se nëna ime nuk do të shërohet kurrë. Të dua gjithmonë Pajtim RIP”, shkroi ajo.