240 fluturime ulje-ngritje nga destinacionet më të ndryshme ndërkombëtare/ Balluku: Pamje spektakolare nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës

Zv/kryeministrja njëherazi dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka postuar në rrjetet sociale një video të fluturimeve në një natë në aeroportin ndërkombëtar  “Nënë Tereza”.

“Pamje spektakolare nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës natën e mbrëmshme. 240 fluturime ulje-ngritje nga destinacionet më të ndryshme ndërkombëtare”, shkruan Balluku.

Aeroporti “Nënë Tereza” kryeson me rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve në klasifikimin për Europën.

Sipas klasifikimit të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve, vendi ynë ka rritur me 259.4 % numrin e pasagjereve në tre mujorin e dytë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës.

Shqipëria renditet në vendin e parë të klasifikimit me rritjen më të madhe ndër 47 vende të Europës, çka tregon zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit. Siç vihet re në publikimin e fundit, Shqipëria lë pas shumë shtete si Greqia, Portugalia, Turqia, Spanja apo Italia. Vetëm në muajin korrik të këtij viti nga Aeroporti “Nënë Tereza” hynë më shumë se 1.1 milionë pasagjerë, ndërsa në korrik të 2023 hynë rreth 834 mijë pasagjerë.

Ndërkohë që për periudhën janar-korrik kanë hyrë mbi 5.9 milionë pasagjerë, ndërsa në janar-korrik të vitit të shkuar kanë hyrë rreth 3.7 mln pasagjerë, pra shtatë mujori i 2024 ka shënuar rritje me më shumë se 1 milion e 113 mijë pasagjerë më shumë nga aeroporti i Rinasit.