1.6 mln euro për Giro d’Italia, ja sa para do të vihen në dispozicion të fituesëve

Gara e famshme e çiklizmit, Giro d’Italia, nisi sot me etapën e parë në Durrës dhe do të zgjasë deri më 1 qershor, kur do të përfundojë në Romë. Për herë të parë në histori, ky event prestigjioz do të kalojë nëpër Shqipëri, me tre etapat e para që do të zhvillohen në vendin tonë deri më 11 maj.

Përveç spektaklit në rrugë, Giro d’Italia do të shpërndajë gjithashtu një shumë të madhe çmimesh për çiklistët pjesëmarrës. Shuma totale e shpërblimeve për 21 etapat e këtij aktiviteti është rreth 1.6 milionë euro.

Çdo etapë do të shpërndajë mbi 11.000 euro për fituesin e saj, ndërsa 20 çiklistët e parë që kalojnë vijën e finishit do të ndajnë 27.540 euro çdo ditë. Fituesi i klasifikimit të përgjithshëm do të përfitojë 265.668 euro, ndërsa edhe çiklistët që renditen në top-20 do të marrin shpërblime të konsiderueshme.

Në fund të garës, pesë çiklistët më të mirë për ngjitje malore (KOM, King of the Mountain) do të ndajnë një shumë tjetër, me triumfuesin që merr 5000 euro, ndërsa më i miri çdo ditë do të përfitojë 700 euro.

Po ashtu, do të ketë çmime për ekipet më të mira, sprintet e ndërmjetme, shkëputjet më të gjata dhe çiklistët më luftarakë, duke krijuar kështu një garë me përfitime të mëdha për sportistët që arrijnë të dallohen në këtë sfidë epike të çiklizmit.