FOTO/ Ndryshim drastik në “look”! Ja si Daut Laze i shpëtoi prej 2 muajsh vëmendjes së policisë
Daut Laze kishte ndryshuar totalisht “look” për t’i shpëtuar kthimit në qeli. 49-vjeçari u arrestua në Tiranë, teksa në muajin shkurt u arratis nga Burgu i Shënkolit në Lezhë.
Nga veprimet e kryera rezulton se 49-vjeçari me probleme të shëndetit mendor të ketë dalë në ajrim, aty ka marrë një llamarinë të cilën e ka mbështetur te muri mbi 4 metra i lartë në anën jugore të burgut, duke e kapërcyer dhe larguar.
Daut Laze ishte dënuar me mjekim të detyruar, ndërsa në planin e arratisë e realizoi nga dhoma e mjekimeve në institucionin e shndërruar prej më shumë se 2 vitesh, në strehën e përkohshme të të burgosurve me probleme të shëndetit mendor, ku aktualisht janë 470 persona, me një staf prej 180 punonjësish.
NJOFTIMI I POLICISË:
Kapet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, shtetasi Daut Laze, 49 vjeç, i cili u arratis nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë, me datë 04 shkurt 2025.Bazuar nga informacionet e marra nga inteligjenca policore, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në Astir, u bë kapja e shtetasit të shpallur në kërkim Daut Laze, 49 vjeç, banues në Astir.
Ky shtetas, me datë 04 shkurt 2025, u arratis nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë. Veprimet e metejshme do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë.