SKUKA NE UDHEKRYQ

 

Emri i Xhuliano Skukës po lakohet shumë në merkaton e këtij janari. Sulmuesi ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave përtej kufinjve, teksa Ok për largimin dhe destinacionin e tij final do të jepet nga Partizani. Serioz në pistën që e dërgojnë te 24-vjeçari janë shfaqur skuadrat italiane, teksa në garë për shërbimet e tij kanë hyrë edhe francezët e Metz. Një ofertë prej 1 milion euro pretendohet të përfitohet nga drejtuesit e Partizanit, madje dëshirojnë që ky transferim të kryhet gjatë merkatos së verës, pasi sezoni aktual të ketë përfunduar. Kjo për shkak se të kuqtë janë në garë për titullin kampion dhe Skuka ka peshën kryesore në skuadrën e Colella.

Hellas Verona është gati për të bërë hapin e madh drejt Skukës, teksa me largimin e Henri, shqiptari do të kishte më shumë mundësi aktivizimi. Verona ka qënë gjithmonë një “shtëpi” për lojtarët shqiptarë, pasi aty janë formuar edhe lojtarë të tjerë kuqezi, mes të cilëve Marash Kumbulla. Megjithatë rivaliteti i veronezëve do të jetë pikërisht me francezët. Firma me një skuadër të huaj do t’i shërbente Skukës për të fituar edhe një vend në formacionin e kombëtares shqiptare. Skuka do bëhej kështu largimi i dytë i rëndësishëm nga Partizani, pas mbrojtësit Bitri që zgjodhi kampionatin çek për të vijuar karrierën.