JUVENTUS NËN AKUZË

Lajme aspak të mira në horizont për Juventusin. Italianët rrëzikojnë jo pak pas skandalit që ka përfshirë klubin për shkak të fitimeve kapitale fiktive. Prokuroria italiane ka kërkuar rihapje të hetimeve, teksa kërkoi dënimin me 9 pikë penalitet për Juventusin në kampionatin aktual. Duke pasur parasysh seriozitetin e fakteve të diskutueshme dhe ndikimin në kampionat nga pikëpamja sportive, kërkesa e drejtësisë italiane mund të lë Juventusin jashtë Kupave të Europës. Ndërkaq, prokurorët gjithashtu duan ndalimin me 20 muaj e 10 ditë të Paratici, 16 muaj të ish-presidentit, Andrea Agnelli, 12 muaj për Pavel Nedved,Garimberti dhe Arrivabene, si dhe 10 muaj e 20 ditë për Cherubini.

Vendimi pritet të merret para javës së ardhshme, megjithatë në favor të klubit torinez është apelimi në zyrat e CONI, kolegjin e garancisë së futbollit italian. Në bankën e të akuzuarve janë edhe klube si Sampdoria, Empoli, Genoa, Parma, Pisa, Pescara, Pro Vercelli dhe Novara. Në aferë janë përfshirë 52 drejtues apo ish-drejtues. Në rast se në dokumentat e transaksioneve të futbollistë gjenden shkelje nga ana e klubit të Juventusit, ky do ishte skandali i dytë i madh për bardhezinjtë, pasi më parë u zbritën nga kategoria për shkak të fiksimeve të sfidave, e njohur nga bota e sportit si Calciopoli.