Hapat fals të Partizanit sollën rokadë në kreun e Superligës shqiptare. Tirana përfitoi nga barazimi 1-1 që të kuqtë shënuan ndaj Kastriotit dhe me fitoren me poker golash 4-1 përballë Bylis mori vendin e parë pas 17 javësh kampionat. Bardheblutë treguan se janë kampionët në fuqi ndaj ballshiotëve, duke gjetur forcën për të shënuar fitoren e dytë radhazi. Tregolëshi i Patrick konfirmoi edhe forcën sulmuese të Tiranës, me kryeqytetasit që kanë edhe sulmin më të mirë të kampionatit me 29 gola të shënuar. Bardheblutë kanë edhe mbrojtjen më të mirë, 12 të pësuar aq sa Egnatia. Tirana numëron tashmë 1 pikë më shumë se Partizani, që shpërdoroi një mundësi të artë ndaj krutanëve për të siguruar 3 pikëshin. Të kuqtë ishin të parët që kaluan në avantazh, gjithsesi dolën vetëm me një pikë nga stadiumi i Kamzës.
Vllaznia konfirmon formën e mirë në kampionat. Shkodranët shënuan fitoren e tretë radhazi, këtë herë bindës 4-1 ndaj Laçit dhe blindojnë vendin e tretë në klasifikim. Mbërritja e Balaj ka shtuar urinë në radhët e kuqebluve që tani janë në garë të plotë për titull.
Java e 17-të shtoi akoma dhe më shumë krizën e Kukësit. Humbja 2-0 përballë Erzenit ishte e 9-ta në kampionat dhe përkthehet në fundin e klasifikimit. Një pikë shprese mori Teuta që pas shumë javësh i largohet fundit, por jo zonës së ftohtë të renditjes. Durrsakët barazuan 1-1 ndaj Egnatias së vendit të katërt dhe gjenden momentalisht në pozicionin play-out. Java e 17-të prodhoi 16 gola në 5 duelet, me një mesatare prej 3.2 golash për ndeshje. Shifra të kënaqshme që rrit produktivitetin e skuadrave nga java e shkuar, ku u shënuan mesatarisht 2 gola.