Liria e tyre nënkupton vetëm një gjë: Kush do të jetë viktima e radhës…

Nga Aida TOPALLI

Teksa vera u mbyll me vetëm një ngjarje kriminale të regjistruar në Vlorë, duket se vjeshta nuk do të jetë e tillë. Brenda më pak se 24 orësh, u ekzekutuan në atentate mafioze dy persona. Martin Bardhi në Mirditë dhe Fatjon Dervishi në Sukth të Durrësit. Të dyja ngjarjet, motiv kryesor, sipas të dhënave paraprake, zyrtare dhe koefidenciale, kanë të bëjnë me hakmarrjen.

Në Mirditë kemi përplasjen e ethshme e të pandalshme mes fiseve Bardhi e Reçi. Ndërsa në Sukth, kemi të bëjmë me përplasjet për pazare droge të nisura në shtetin spanjoll, e të përfunduara në vendin tonë, gjithmonë me ekzekutim. Shpesh në dijeni të këtyre konflikteve, por të paaftë për t’i provuar dhe për të vënë para përgjegjësisë autorët, krimi ka zgjedhur një mënyrë ndryshe për të larë hesapet: “Duke ngrënë kokat e njëri tjetrit”. Praktikë e njohur kjo për bandat kriminale në mbarë botën. Të gjitha ngjarjet e bujshme pasohen me shoqërimin e disa personave të dyshuar, marrjen në pyetje dhe lënien të lirë më pas. Liria  e tyre nwnkupton vetëm një gjë: Viktima e radhës…

Nëse rikthehemi tek ngjarja e pas mesnatës, vrasja e Fatjon Dervishit, një person që dihej që merrej me aktivitet illegal, por asnjëherë nuk i është konfirmuar. Nga ana tjetër, vëllai i tij, Fatbardh Dervishi, është një emër mjaft i njohur. Ai do të merrte zë, sidomos, kur rreth dy vite më parë, nën kërcënimin e armës, dhunoi dhe plagosi një vajzë, me gjasë, e dashura e tij. Ngjarja ndodhi në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës. Ndërsa ky i fundit vuan dënimin me burg edhe sot e kësaj dite. Nga ana tjetër, emri i tij skedohet në shtetin spanjoll për trafikim të lëndëve narkotike, por mes shqiptarësh të botës së krimit që zhvillojnë aktivitetin criminal në këtë shtet, Fatbardh Dervishi njihet si personi që mori peng dhe zhduku një të r inga Lezha. Kjo ngjarje, ka bindur uniformat blu, se vrasja e vëllait të tij, është bërë pikërisht për hamkamrrje.