Kurbanë, luks dhe para publike, ja si i merr tenderat Renido Petritaj në Bashkinë e Tiranës me procedura fiktive


Biznesmeni i ndërtimit Nefir Petritaj kontrollon tre kompani bashkë me të birin Renido Petritaj dje të bijën Fabiola, përmes të cilave kanë marrë tendera me vlerë rreth 30 milionë euro.

Kompania kryesore është 2 F Construcion LTD, me emër të ndryshuar në Rafin Company, me pronar Renido Petritaj.

Nga viti 2017 dhe deri më tani, Renido Petritaj ka arritur të fitojë rreth 70 tendera publikë me një vlerë rreth 30 miliardë lekë ose 30 milionë euro, e vetme dhe në bashkëpunim, një shifër e jashtëzakonshme për një kompani që e ka nisur nga zero në 2017, me kapital 100 lekë.

Gjysmën e vlerës së tenderave i ka marrë nga Bashkia e Tiranës, nën dyshime të forta të një lidhje klienteliste.

Duke shqyrtuar dokumentet dhe procedurat tenderuese, rezulton se Renido Petritaj, i cili shfaq luksin, makina të shtrenjta dhe bën kurbanë, ka fituar kontrata me flamuj të kuq korrupsioni në Bashkinë e Tiranës.

Në 31 janar 2022, Rafin Company, me pronar Renido Petritaj mori tenderin me vlerë 5 milionë euro për ‘ndërtim pedonale, pistë vrapimi dhe korsi biçikletash në liqenin e Farkës’.

Fituesi dyshohet se është paracaktuar pasi kompanitë e tjera pjesëmarrëse në garë si Varaku, Zdravo etj., nuk paraqitën dokumentet më elementare.

Më herët, Rafin Company dhe Zdravo kishin fituar një tender po nga Bashkia Tiranë për mirëmbajtje të objekteve arsimore, pa garë.

Në të njëjtën formë, pra me kompani që merrnin pjesë në procedura fiktivisht, Rafin Company mori edhe tenderin me vlerë 3 milionë euro për Rindërtimin shkollës 9 vjeçare “Lidhja e Prizerenit”. Fasadën në këtë rast e kanë bërë kompanitë Udha dhe Ulëza, të lidhura me njëra-tjetrën dhe që kanë marrë tendera të tjerë nga e njëjta njësi vendore, Bashkia Kamëz, që i dha tenderin 3 milionë euro

Me kompaninë Udha që bëri fasadën tek tenderi 3 milionë euro për shkollën 9 vjeçare “Lidhja e Prizerenit”, Rafin Company ka marrë një tender për rindërtimin me vlerë 4 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Me të njëjtën skemë, Renido Petritaj ka fituar edhe tenderat mirëmbajtje e rrjetit elektrik, hidraulik dhe dyer të brendshme në Konviktet e Shkollave të Mesme, Bashkia Tiranë, me vlerë 350 mijë euro, si dhe tenderin për mirëmbajtje e thellë në objekte publike, Bashkia Tiranë, me vlerë 300 mijë euro.