Çfarë po ndodh në Veri të Kosovës? Rrëmbimi i policëve nga serbët, reagimet e ndërkombëtarëve dhe Albin Kurti

Nga Aida Topalli

Situata e krijuar në Veri të Kosovës sa vjen e rëndohet. Akti më i rëndë i të gjitha përplasjeve të krijuara që pas zgjedhjeve për kryetar komune, apo akti që solli reagimet më të shumta, nuk ishte as draft-rezoluta e as dhuna e ditëve të para, por rrëmbimi i tre policëve kosovarë nga ana e forcave serbe në zonën kufitare.

Mesditën e 14 qershorit 2023, Policia e kosovës, përmes një deklarate për shtyp njoftoi rrëmbimin.

Në një video, të publikuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë, duken forcat e xhandarmërisë serbe të armatosur dhe me maska që shoqërojnë 3 policët, të cilëve u ishin lidhur duart nga prapa me pranga.

Një akt i tillë solli irritimin dhe reagimin e menjëhershëm të krerëve të shtetit Kosovar. Ndërsa pas mosmarrëveshjeve me Shqipërinë, akti i rrëmbimit do t’i bënte sërish bashkë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e quajti agresion nga ana e Serbisë. Ndërsa në mbrëmje Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkoi lirimin e menjëhershëm. të tre policëve të rrëmbyer nga Forcat e Armatosura të Serbisë brenda kufijve të Kosovës.

Reagimet nuk do të mbesnin vetëm brenda territorit shqiptar. Ata do të ngjallnin reagime ndërkombëtare. Kryeministri Albin Kurti ka drejtuar gishtin ndaj forcave të armatosura të NATO-s. Por edhe ndaj ndërkombëtarëve të tjerë, duke drejtuar gishtin e fajita se ata nuk janë aty për Kosovën në këtë situatë të vështirë.

NATO mohon akuzat e Kurtit: Nuk ishim në kufi në momentin e rrëmbimit

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 15 qershor se nuk ka qenë në zonën ku ka ndodhur arrestimi i tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe një ditë më parë. Deklarat e tyre vjen pas akuzave të kryeminsitrit Albin Kurti

“KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe është në kontakt me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë, dhe me autoritetet e Serbisë”.

Përmes një komunikate për media, KFOR-i ka thënë se është në kontakt të ngushtë edhe më misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX.

“Ne u bëjmë thirrje palëve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme, të cilat mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejmë”.

DASH: Të lirohen menjëherë 3 policët e Kosovës

Nga ana tjetër Departamenti Amerikan i Shtetit kërkoi mbrëmjen e sotme lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë kufitare të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe.

‘Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa të menjëhershëm për të çtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller.në konferencën e përditshme për shtyp.

Ndërkohë në Prishtinë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti raportoi në Kuvendin e Kosovës lidhur me rrëmbimin e tre policëve kufitarë në nga forcat serbe. Kurti i bëri thirrje KFOR-it që të urdhërojë Serbinë që të lirojë 3 policët e rrëmbye. Madje indinjatën për mos reagimin e KFOR tha se ia kishte shprehur edhe ambasadorëve të QUINT-it dhe përfaqësues diplomatik e zv.ambasadorë të shteteve të tjera me të cilët kishte pasur para se të shkonte në parlament.

‘KFOR të urdhërojë  Serbinë që të kthej policët e rrëmbyer dhe të dënojë këtë shkelje flagrante të integritetit tonë territorial. Dje është shkelur pika 4 e marrëveshjes së Kumanovës. KFOR duhet të jetë i heshtur dhe as i përulur ndaj kësaj. Nëse KFOR  shndërron këtë heshtje në normë, atëherë një gjë të tillë i bie të mohoj një përgjegjësi ndërkombëtare që i është dashur të dënojë publikisht.’- tha Kurti.

Ndërkohë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell e kualifikoi rastin si “arrestim” dhe njoftoi se po organizon një takim javën e ardhshme në Bruksel ku do i ftojë të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë. Kuvendi i Kosovës zgjati rreth 2 orë ku përpos kryeministrit, folën edhe krerët e grupeve parlamentare të opozitës së Kosovës.

Në mëngjes u mblodh Këshilli i Sigurisë

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur sërish me rrëmbimin e tre policëve nga forcat serbe. Kosova mblodhi në mëngjes Këshillin e Sigurisë dhe në një deklaratë për mediat, kryeministri Albin Kurti doli me një hartë në dorë ku tregoi zonën se ku ka ndodhur rrëmbimi i tre policëve. Kreu i qeverisë thekson se rrëmbimi ka ndodhur brenda territorit të Kosovës, ndërsa hedh poshtë pretendimet e Beogradit duke thënë se po bën thjesht propagandë pasi policët nuk kishin kaluar kufirin.

“Këtu e kemi një foto të hartës ku mund të shihni se si vendi ku janë rrëmbyer tre policët ndodhet 1 km larg kufirit në thellësi të territorit të Kosovës. Rrëmbimi ka ndodh në këtë vendin që është thellë, është 1 km larg kufirit në njërën anë që i bie të jetë pjesa veri perëndimore, pastaj 670 m larg pjesa veriore, 300 metra në jugperëndim”, tha Kurti. 

Ministri Zveçla bën thirrje për lirimin e vartësve të tij

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla e Kurti kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të efektivëve, ndërsa kritika kanë për ndërkombëtarët që nuk kanë dënuar këtë akt të Serbisë, e në veçanti për KFOR-in se përse po hesht për këtë situatë të rëndë në veri, që e quajtën një agresion ndaj shtetit të Kosovës.

Albin Kurti viziton familjet e policëve të rrëmbyer në kufi me Serbinë

Ditën e sotme kishte edhe një vizitë të Kurtit në banesat e familjarëve të tre policëve të rrëmbyer. Ai u tha se po bëheshin përpjekje për të marrë informacione mbi gjendjen e tyre.

Kurti shpjegoi se në hetimet që janë bërë në zonën ku ka ndodhur rrëmbimi, forcat e Policisë së Kosovës kanë gjetur gjurmët e forcave serbe, ushqimet që kanë ngrënë ushtarët serbë, si edhe pranga plastike. Në vendngjarje, ministri bëri me dije se gjatë hetimeve kanë qenë edhe forcat e KFOR, të cilës i kishin kërkuar rezultatet e hetimit para se mbahej mbledhja e Këshillit të Sigurisë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, ka thënë Kurti.

“Ky akt kriminal duhet të dënohet ashpërsisht nga faktori ndërkombëtar sepse përfaqëson një shkelje të rëndë dhe shfaq edhe njëherë fytyrën e vërtetë të Serbisë”, tha Sveçla.

Sipas Kurtit, bëhet fjalë për një aksion me forca të shumta serbe, pasi dy 2 formacione të njësive speciale serbe, ‘Kobra’, janë futur brenda territorit të Kosovës. Për këtë arsye qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për të shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.

“Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, u shpreh ai.

Serbia hesht për policët e rrëmbyer

Autoritetet e Kosovës nuk kanë ende asnjë informacion se ku ndodhen policët e rrëmbyer të Kosovës. Të pyetur nga gazetarët se nëse do pranojnë një shkëmbim për tre policët në këmbim të lirimit të te të arrestuarit Milun Milenkoviç pas sulmit ndaj KFOR. Kurti u tregua i prerë dhe tha se në Kosovë sundon ligji dhe nuk mund të bëhen pazare për tre persona të pafajshëm në këmbim të një personi me rekorde kriminale.

“Ne nuk bëjmë pazare. Nuk di që Beogradi ka kërkuar ndonjë lloj shkëmbimi. Atë edhe mund ta kërkojnë diçka të tillë, por ju nuk keni nevojë të paraqitni këtë si mundësi sepse jeni qytetarë të republikës sonë. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur?”- tha Kurti.

Në të njëjtën linjë, edhe ministri Sveçla e tha qartë se bandat kriminale në veri nuk janë më të fortë se shteti i Kosovës dhe prandaj do të dalin para drejtësisë. Në fund, Kurti tha se është i përkushtuar në dialogun me Serbinë nëse do të ketë një rinisje, por shtoi se nuk mund të bënte kompromis sa i takon sundimit të ligjit në Kosovë.

Tre efektivë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe në veri. Kosova ka bërë thirrje për t’i liruar menjëherë, por sipas Serbisë ata janë arrestuar pasi janë gjetur duke patrulluar 1.8 km larg  kufirit me veriun.

Reagimi i pazakontë i deputetes serbe: Vuçiç duhet të bëjë kontroll psikiatrik

Deputetja serbe, Rashkoviç Iviç ka bërë një deklaratë të pazakontë për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ajo u shpreh se presidentit serb duhet t’i bëhet një kontroll psikiatrik. Duke komentuar deklaratën e Vuçiçit se fëmijët serbë të moshës 12 dhe 13 vjeçare në Kosovë janë të gatshëm të vdesin ‘sepse janë ngopur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti’, Iviç tha se kjo është deklaratë e çmendur dhe e papërgjegjshme.

“Ka shumë kohë që nuk kam dëgjuar diçka kaq të çmendur, të pashpirt dhe të papërgjegjshme. Të thuash se fëmijët 12 dhe 13 vjeç duan të vdesin është tipike vetëm për shtetet islamike ku mbretëron xhihadi. Kështu ishte edhe në vitin 1945 në Gjermaninë naziste, kur Hitleri nuk kishte më askënd që të mobilizonte për luftë”, tha Rashkoviq Iviç.

“Nuk mund të jepet vlerësime për gjendjen mendore të asnjë personi pa një ekzaminim paraprak. Sigurisht që është një deklaratë e çmendur dhe e papërgjegjshme dhe ata që bëjnë deklarata të çmendura dihet se do të trajtohen më tej”, shpjegoi deputetja.

Vuçiç tha sot se situata në Kosovë është “tmerrësisht e rëndë dhe se fëmijët e moshës 12 dhe 13 vjeç janë gati të vdesin, sepse të gjithë janë të ngopur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”.

Reagime të shumta ka pasur edhe nga të dërguar të tjerë të përfaqëesive të huaja në Koosvë. Njëzëri ata dënuan veprimin e policisë serbe, por nuk mbështesin reagimet në tërësi të kryeministrit Albin Kurti.