5 muaj mister/ Zhdukja e Ervis Martinaj, operacioni ‘Plumbi i Artë’ dhe kontrollet e policisë
Nga ‘replika.al’
Ditën e djeshme, forcat elitë të policisë, të shoqëruar nga oficerë të policisë gjyqësore pranë SPAK, zhvilluan një kontroll të imtësishëm në vilën luksoze të Ervis Martinajt. Ndërsa 11 ditë më parë, blutë kontrolluan si rrallëherë edhe banesën e tij në Fushë-Kuqe.
Të dyja këto kontrolle, thonë burimet, janë bërë në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë’, aty ku bazuar në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani, Martinaj është organizator i disa vrasjeve të ndodhura në vend, në vitet që kemi lënë pas.
Kemi dy situata që nuk rrinë aspak mirë me njëra-tjetrën. Nga njëra është misteri i fatit të 39-vjerçarit, i cili rezulton i zhdukur që prej datës 9 gusht 2022. Dhe nga ana tjetër, SPAK dhe policia që ushtrojnë kontrolle në kuadër të një hetimi, që e ka shndërruar në njeriun e shumëkërkuar nga drejtësia. Bastisja e ditës së djeshme, në ambjentet shumë pranë vilës së kryeministrit Edi Rama, është po aq sporadike sa edhe ajo e Fushë-Kuqes.
Teksa ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga institucionet, nëse është gjetur ndonjë send i paligjshëm në ato ambjente, burimet konfirmuan se janë gjetur dhe sekuestruar një sërë dokumentash, përmbajtja e të cilave, padiskutim është mister.
Natyrshëm, secilit i lind vetëm një pyetje: Ku i dërgojnë hetimet këto kontrolle? A iu vijnë sadopak në ndihmë? Njëkohësisht, pse policia nuk është ende në gjendje të japë një version të saktë të asaj se çfarë ka ndodhur në datat 7-8 dhe 9 gusht 2022? Zvarritja e zbardhjes së misterit, kontrollet e vonuara, më shumë sesa një punë që mund të dërgojë drejt një rezultati pozitiv, ngjan me një metodë të hidhur të përdorur enkas për të mundësuar zhdukjen e provave dhe fakteve.
I shndërruar në lajmin kryesor të vitit 2022, duket se Ervis Martinaj dhe fati i tij, do vijojnë të mbajnë vendin e parë edhe këtë vit. Kjo për shkak se nga ana e grupit hetimor, nuk është dhënë asnjë shenjë që kemi një dritë jeshile për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Përtej gjithë këtyre momenteve, le të rikthehemi edhe njëherë tek dita e djeshme, 8 janar 2023. A është e mundur që Ervis Martinaj të ketë pasur në banesën e tij dokumenta që mund të hedhin dritë mbi atë se çfarë është thënë për të? A do të arrijnë hetuesit që përmes sekuestrimeve të bëra, të lidhin fillin e vërtetueshmërisë së akuzave që rëndojnë mbi ‘mbretin’ e lojërave të fatit?
Gjithësecili është në pritje. Madje pa frikë mund të thuhet se, nëse arrihet të hidhet dritë mbi fatin e Ervis Martinaj, drejtësia në këtë vend funksionon. Mirëpo, bazuar në raste të tjera të ngjashme, mungesa e të dhënave dhe fakteve për fatin e 39-vjeçarit, bën që askush të mos shkojë përpara drejtësisë. Vonesat e krijuara, duket sikur janë me të vërtetë një metodë e sofistikuar, që përkthehet për fat të keq, në zhdukje të gjurmëve të lëna nga autorët.