PROFIL/ Kush është Ergys Agasi, eminenca gri që është në lupën e SPAK, çfarë iu gjet tek vila

Edhe pse kanë kaluar dy ditë që nga kontrollet në bizneset e Ergys Agasit, SPAK nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me hetimin ndaj biznesmenit ndërkohë që ai vetë ka pranuar që ndaj tij ka nisur një hetim nga organi i akuzës.

Pas kontrolleve të kryera nga BKH dhe SPAK në të paktën katër objekte të biznesmenit Ergys Agasi në Tiranë dhe Durrës, vetë Agasi ka pranuar se hetimi është në vijim e sipër.

Por kush është Ergys Agasi dhe përse në të gjithë vendin, ai njihet si “eminenca gri”, një pozicion i dyfishtë që lidh organet shtetërore me interesat e botës së errët?

Ergys Agasi , një emër që deri dje ishte relativisht i panjohur për publikun, emri i tij, është kthyer në qendër të vëmendjes për shkak të akuzave të rënda të ngritura nga ish-zv.kryeministri nw arrati Arben Ahmetaj.

Ahmetaj ka vijuar ta përmendë Agasin, duke e përshkruar atë si një figurë kyçe në lidhjen mes politikës dhe botës së krimit.

Sipas Ahmetajt, Ergys Agasi është një nga ndërmjetësit kryesorë të kryeministrit Edi Rama me mafian dhe trafikantët e drogës. Madje, wshtw pwrshkruar se Agasin wshtw personin që ka organizuar një takim mes politikës, krimit dhe biznesit në Tiranë, duke luajtur rolin e koordinatorit të krimit me politikën.

Agasi është djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi, i cili ka qenë Sekretar i PS në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Fatos Nano. Pavarësisht prejardhjes së tij socialiste, Agasi hyri në skenën politike përmes LSI-së së Ilir Metës. Ai mori drejtimin e Inspektoratit të Mjedisit në kohën kur Ministër i Mjedisit ishte Lefter Koka, tani i dënuar për aferën e inceneratorëve.

Gjatë kohës në këtë post, Agasi duket se ka krijuar lidhje të forta me Alqi Bllakon, me të cilin ka edhe një kompani të përbashkët, “EA LOGISTICS”, që operon në fushën e transportit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Pas dorëheqjes nga detyra në shtator 2017, kur koalicioni mes PS dhe LSI u prish, Agasi u afrua sërish me Partinë Socialiste.

Akuzat ndaj tij nuk janë të reja. Më herët, ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Ergys Agasi është një ndër njerëzit që kontrollon bandat e Durrësit për llogari të Edi Ramës.

Berisha e ka akuzuar Agasin, gjithashtu për përfshirje në kontrabandë dhe kontroll të aktiviteteve kriminale në zona të ndryshme të vendit.

Disa ditë më parë, SPAK zhvilloi një goditje të bujshme ndaj një grupi që dyshohej se kryente kontrabandë cigaresh. Dëmi i shkaktuar ndaj shtetit ishte 36 milionë euro. Po e njëjta kompani, është blerë nga Agasi në shkurt të këtij viti. Këto transaksione janë në lupën e SPAK, bashkë me disa blerje të tjera biznesesh. Nga vëzhgimi që bëri Replika.al, Agasi rezulton pronar i 4 bizneseve në QKB, të cilat deri në momentin e blerjes nga Agasi kanë qenë të falimentuara.

Por a janë këto lëvizje shënjestra e hetimit të SPAK? Duket se jo. Burime të Replikë bëjnë me dije se ndaj Agasit po kryhet një hetim i imtësishëm, ndërkohë që të gjitha kontrollet dhe sekuestrot kanë nisur si dyshim i prokurorëve se “eminenca” gri mund të jetë përfshirë edhe në krim zgjedhor./Replika