Ed Sheeran: U futa në depresion kur mësova sëmundjen e gruas

Ed Sheeran ka rrëfyer se gjatë vitit të shkuar u fut në depresion pas diagnostikimit me tumor të gruas së tij dhe vdekjes së papritur të mikut të tij, Jamal Edwards në moshën 31-vjeçare.

Partnerja, me të cilën është njohur që në vegjëli dhe u martua në vitin 2019, Cherry Seaborn, zbuloi se kishte një tumor teksa çifti ishte në pritje të fëmijës së dytë. Nuk kishte “rrugë trajtimi deri në lindjen e fëmijës”, shpjegoi Sheeran. Asokohe, këngëtari shkonte në gjykatë çdo ditë për shkak të një çështjeje mbi të drejtat e autorit  për hitin “Shape of You”, ku akuzohej për plagjiaturë.

Ndikimi shkatërrimtar i këtyre ngjarjeve “ndryshoi jetën time, shëndetin mendor deri edhe mënyrën si e shoh muzikën”, lexohet në dorëshkrimin e tij të postuar në rrjetet sociale. Si pasojë, ai grisi qindra këngë që kishte shkruar për albumin e gjashtë.

Sheeran dhe Seaborn u bënë prindër për herë të dytë me një vajzë që erdhi në jetë Majin e shkuar. Këngëtari nuk ka dhënë asnjë deklaratë të re për shëndetin e bashkëshortes së tij.