Dështuam përsëri: Masakra e sotme mund të ishte parandaluar/ Gjyqësori nuk dënoi sa duhet Dan Hutrën
Nga Aida Topalli
1 mars 2023. Muaji i gruas, siç e konsiderojnë shumë anembanë botës. Të paktën një muaj në vit, që presupozohet se ju jepen disa të drejta dhe liri më shumë, që janë në qendër të vëmendjes. Por në Shqipëri, këtë vit, si shumë herë të tjera më parë, nisi ndryshe.
Jemi në Kamëz, një bashki shumë pranë Tiranës. Ora shënon 11:30 minuta e paradites. Etleva Kurti, një 31 vjeçare nga veriu i Shqipërisë, po qëndronte në oborrin e banesës së saj, kur një automjet i zi, u afrua pranë portës dhe e qëlloi me breshëri, duke e lënë të vdekur në vend.
30 minuta më pas, në Kodër kamëz, 9 minuta nga rruga Besëlidhja, ku jetonte 31 vjeçarja, një tjetër automjet afrohet pranë banesës së familjes Hysa. Në shtëpi ishin vetëm 4 gra, të gjitha të reja dhe me fëmijë të vegjël, dhe nëna e tyre. Makina qëndron para banesës, personi zbret dhe me armë në dorë, qëllon me radhë në drejtim të grave të shtëpisë. Dy u lanë të vdekura në vend, ndërsa dy të tjera u plagosën rëndë.
Ishte ora 13 kur në redaksinë e Replikës mbërrin një informacion fillestar. ‘Krim në familje në Paskuqan. Ish-bashkëshorti qëllon me armë gjithë familjen e ish-bashkëshortes’.
Bëhej fjalë për Dan Hutra, një 40 vjeçar nga Kukësi. Ishte ky autor i kësaj ngjarjeje makabre.
Dan Hutra, u lirua nga burgu më 16 shkurt të këtij viti, teksa ishte dënuar për dhunë në familje dhe kërcënime, kundrejt ish-bashkëshortes së tij, Elena Hysa. Ai kishte mundur t’i shpëtojë qelisë pas tërheqjes së denoncimit nga kjo e fundit. Elena Hysa dhe Dan Hutra ishin martuar jo shumë kohë më parë. Që në muajt e parë të martesës nisën konfliktet, që për pasojë sollën edhe divorcin. Fryt i kësaj martese është edhe një foshnje 3-muajshe, që fatkeqësisht mbeti jetim.
Por Dan Hutra nuk është një emër i panjohur për drejtësinë.
Saga kriminale e tij, nis që në vitin 2003, kur mori peng dhe përdhunoi ish kunatën e tij. Në vitin 2007, ai vrau ish-bashkëshorten, ngjarje e regjistruar në Kukës. Vrasja ishte makabre, pasi ai e groposi dhe krimi u zbulua me mjaft vështirësi. Për të dyja këto vepra penale, Dan Hutra vuajti vetëm 8 vite burg, duke ja hedhur paq, e për fat të keq duke u bërë recidivist. Kësaj radhe jo me një, por me 3 viktima dhe 3 të plagosura.
Drejtësia shqiptare gaboi edhe këtë herë
Dan Hutra ishte autor i të paktën 3 veprave shumë të rënda, atë të përdhunimit, heqjes së paligjshme të lirisë dhe krimit në familje. Referuar legjislacionit shqiptar, ai duhet të vuante të paktën 25 vite burg. Por si shumë raste të tjera të ngjashme, për një arsye apo një tjetër, u lirua. Është e shumëta herë që personazhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, nxirren nga qelitë në mënyrë mistreioze, dhe janë po ata, të cilët, kryejnë më pas ngjarje Akoma më të rënda se të parat.
Dan Hutra, plagosi sot 3 gra dhe vrau 3 të tjera. Dan Hutra vazhdon të jetë në arrati dhe askush nuk garanton nëse do të ndalojë. Të gjithë janë të frikësuar, sidomos gratë, se mund të jenë ‘preja’ e tij e radhës.