Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Rusia e mbështet popullatën serbe në Kosovë dhe beson se të drejtat dhe interesat e saj legjitime duhet të mbrohen, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.
“Ne e mbështesim pa kushte Serbinë dhe serbët… Ne besojmë se duhet të respektohen të gjitha të drejtat dhe interesat legjitime të serbëve të Kosovës”, tha Peskov në adresimin e përditshëm për media, duke shtuar se nuk duhet të ketë vend për “veprime provokuese”.
Rusia edhe përmes një reagimi të mëparshëm kërkoi nga Perëndimi që të ndalë “propagandën” e tij pasi 30 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.
Rusia, që është aleate e Serbisë, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Bashkimi Evropian ka kërkuar që Kosova të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave komunale në veri, si një hap i parë për të shtensionuar situatën. Serbia ndërkaq ka kërkuar që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga veriu.