Nga liberalizimi i vizave tek aplikimi për anëtarësim, BE i jep dritë jeshile Kosovës

Parlamenti Evropian në një draft-raport që është përpiluar më 25 janar të këtij viti dhe që ka të bëjë me Kosovën, thuhet se është mirëpritur aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në këtë raport po ashtu mirëpritet marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës e cila pritet të hyjë në fuqi më së largu në fillimi të janarit të vitit 2024, njofton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, ofrohet edhe mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në planin e saj për t’u bashkuar me programin e NATO-s Partneriteti për Paqe.

Më poshtë i gjeni disa nga pikat në të cilat ofrohet mbështetje për angazhimin dhe anëtarësimin e Kosovës në BE.

Mirëpritet kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE, e cila reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe një zgjedhje të qartë strategjike gjeopolitike;

Mirëpritet marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës;

Kërkohet nga shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran ta bëjnë një gjë të tillë;

Merret parasysh periudha e stabilitetit politik pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe inkurajohet Kosova që të bëjë përpjekje të mëtejshme për të adresuar sfidat në rrugën e saj evropiane;

Theksohet fakti se ritmi i procesit të anëtarësimit do të varet nga progresi për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë;

Përgëzohet përafrimi i vazhdueshëm i Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, veçanërisht në dënimin e saj të fortë ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe në zbatimin e masave kufizuese të BE-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë;

Ritheksohet mbështetja për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e saj për t’u bashkuar me programin e NATO-s Partneriteti për Paqe.