A do ta rikthejë ambasadorin në Shkup? Bullgaria publikon kushtin e saj

“Ambasadori bullgar në RMV, Angel Angelov, mund të kthehet në Shkup kur të krijohen kushtet e duhura për këtë”. Kështu u shpreh sot ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Nikolaj Milkov, duke folur për ngjarjet e fundit në mes Shkupit dhe Sofjes.

“Nëse fillon dialog i nivelit të lartë, në të cilin duhet të marrë pjesë edhe ai, ambasadori mund të kthehet në çdo moment”, tha Milkov në konferencë për media.

Duke komentuar deklaratën e shefit të diplomacisë së RMV-së, Bujar Osmani, se vendimi për të ftuar ambasadorin Angelov në konsultime në Sofje ishte një veprim i pabazuar, i paargumentuar dhe në dispropocion, Milkov theksoi se një procedurë e tillë pasqyron bindjen e Bullgarisë se situata ka shkuar shumë larg dhe se “masë e tillë është e nevojshme”.

“Nëse Republika e Maqedonisë së Veriut konsideron se thirrja e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut, Angel Angelov, është joproporcionale, ndoshta nuk e kuptojnë seriozitetin e situatës”, tha Milkov. Sipas tij, në këtë moment është e nevojshme që ambasadori Angelov të jetë në Sofje “për të sqaruar një sërë qasjesh” në lidhje me politikën bullgare ndaj RMV-së.