Deklaratat e ndërkombëtarëve që dënojnë sulmet ndaj SPAK, Gazment Bardhi nuk i komentoi.
Por edhe pse nuk e tha qartë u distancua nga sulmet e Ilir Metës për Altin Dumanin.
’’Unë nuk komentoj deklaratat e partenrëve tanë strategjikë. Zoti Meta mban ato qëndrime që mban, do duhet të pyesni atë për qëndrimet e tij. Unë nuk jam analist’’, tha Bardhi.
Në tryezën ku po diskutohet reforma zgjedhore Bardhi zbardhi për herë të parë edhe propozimet e qarta të opozitës, ku mes tyre janë rikthimi i koalicioneve dhe listat e hapura.
‘’Në parim mund të them që për opozitën rikthimi i formulës së koalicioneve, ajo betejë që kjo opozitë ka bërë dhe besuar në vitin 2020, të bëhet në kuadër të reformës zgjedhore që kemi’’, tha Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së akuzoj Lulzim Bashën se po mban peng ri-dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës.
‘’Grupi sot ka vendosur që do të ridepozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën sa i takon mandatit të Olta Xhaçkës dhe shpreh indinjatën time që të katër kolegët që janë rreshtuar me zotin Basha nuk kanë pranuar ti përgjigjen thirrjes tonë për t’iu bashkuar kësaj padie.
Bëhet fjalë për kolegët, Arbi Agalliu, Oriola Pampuri, Merita Bakiu dhe Selaudin Jakupllari’’, tha Bardhi.
Bardhi tha se grupi ka shprehur gjithashtu shqetësim për mosrepsektimin e të drejtave të opozitës përsa i përket rrëzimit të kërkesave për interpelancë dhe mocione me debat.