Qeveria britanike, tre mijë bileta Ukrainës për Eurovizion

 

Pas mundësisë së krijuar për stilistët ukrainas në Javën e Modës në Lodër, Britania e Madhe ka marrë përsipër të organizojë edhe Eurovizionin në emër të Ukrainës si vendi që fitoi trofeun e vitit të shkuar.Për këtë qëllim, Britania do të sigurojë 10 milionë paund fonde për organizimin e eventit më të madh muzikor europian.

Gjithashtu qeveria e Britanisë do të vërë në dispozicion 3,000 bileta për ukrainasit e zhvendosur pasi vendi i tyre nuk ishte në gjendje të priste këtë event për shkak të agresionit rus.

“Mijëra bileta do t’u ofrohen atyre të zhvendosur nga lufta, në mënyrë që ata të marrin pjesë në një shfaqje që nderon atdheun e tyre, kulturën dhe muzikën e tyre. Si gjithmonë, ne qëndrojmë së bashku me popullin ukrainas dhe luftën e tij për liri,” tha Sekretarja e Kulturës e Britanisë, Lucy Frazer.

Kjo ngjarje artistike e cila zakonisht tërheq një audiencë prej rreth 200 milionë personash do të mbahet në Liverpool dhe do të organizohet nga transmetuesi britanik BBC.