Revista prestigjoze jehonë Gjirokastrës, Rama: Nuk është më vetëm një adresë në listën e siteve turistike shqiptare, por …
Revista e njohur e udhëtimeve “Islands” i ka kushtuar një artikull qytetit të gurtë të Gjirokastrës.
Pikërisht këtë artikull kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të shpërndajë në rrjetet sociale, për të uruar një javë të mbarë.
“Me këtë artikull dedikuar Gjirokastrës, e cila nuk është më vetëm një adresë në listën e siteve turistike shqiptare, por është destinacioni i një udhëtimi unik, që të jep ndjesinë sikur po ecën mbi historinë, nëpër kalldrëmet mes ndërtesave të gurta ku gëlon një jetë plot gjallëri, kulturë, aktivitete artistike, zeje, kulinari e jashtëzakonshme – i pagëzuar si qyteti sharmant prej guri, në revistën e njohur të udhëtimeve “Islands”, ju uroj një javë të mbarë”-shkruan kryeministri Rama.
Shqipëria është një nga destinacionet më të përballueshme në Evropë dhe Gjirokastra nuk bën përjashtim. Ecja nëpër qytet ngjan si një eksplorim i kohës, ndërsa dallon muret e kështjellës nga shekulli i 6-të, xhamitë osmane të viteve 1400 dhe një pazar historik që daton pothuajse prej tre shekuj, kështu përshkruhet në artikullin e revistës “Islands” Gjirokastra. Qyteti shkëmbor i Gjirokastrës është një vend unik, plot me arkitekturë otomane, rrugë me kalldrëm dhe një kështjellë imponuese.
Nëse dëshironi të dilni përtej qytetit, provoni të ecni në urën e Ali Pashës. Dikur, kjo urë e lartë guri ishte pjesë e sistemit të ujësjellësit të qytetit, por sot është një shteg që vizitorët mund të eksplorojnë. Për të shijuar ushqime autentike të Gjirokastrës duhet të shkoni në Pazarin e Vjetër të qytetit.Në varësi të vendit ku vendosni të qëndroni, mund të mos keni nevojë të shqetësoheni se ku të shkoni për mëngjes pasi shumica e hoteleve por edhe e shtëpive ofrojnë mëngjes.