Destinacioni turistik i Ishmit, me pamje mahnitëse e objekte historike thith turistë

Ishmi, i njohur për vlerat historike të piktorit të shquar Ibrahim Kodra, ofron një arsye më shumë për t’u vizituar, mrekullitë natyrore që kjo zonë dhuron.

Teksa udhëton nëpër kodrat e zonës së Ishmit, me fshatra që shtrihen në të gjithë gjatësinë deri në bregdet, në stinën pranverore të shoqëron kudo gjelbërimi.

Një peizazh i mrekullueshëm natyror të shfaqet përpara syve, ndërsa nga kodrat e fshatit Ishëm duken qartë fushat e ultësirës, që shtrihen deri në qytetin e Lezhës, e më tej deri në zonën e Ulqinit. Sa i përket gjelbërimit të pyjeve dhe shtrirjes së bregdetit, këtu krijohet një panoramë e jashtëzakonshme që duket se ka tërhequr vëmendjen e turistëve, të cilët kanë gjetur në këtë zonë vendin e duhur për të shijuar çastet magjike që ofron natyra.

Banorët e Ishmit tregojnë se janë me fat që jetojnë në këto mrekulli natyrore dhe ndihen të bekuar nga dhuratat e natyrës. Kjo ndjesi i ka bërë ata edhe më mikpritës ndaj turistëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës, veçanërisht nga Kosova. Një piktor nga Mirdita, i cili ka ardhur për herë të parë në Ishëm, u shpreh thellësisht i emocionuar nga ajo që i ofron syri në këtë vend, duke theksuar se turistët e huaj duhet patjetër të vizitojnë këtë zonë me resurse natyrore unike.

Ndërkohë, një ish-mësues nga fshati Ishëm tregon për vlerat historike të zonës dhe zhvillimin e turizmit, duke vënë në pah edhe përmirësimet e ndjeshme në pamjen e fshatrave përreth, falë rindërtimit dhe investimeve në infrastrukturë. Sot, Ishmi po shndërrohet në një zonë me potencial të lartë për zhvillimin e turizmit – një fshat që është gjithnjë e më shumë në rritje të mirëqenies dhe gjallërisë ekonomike.