16 turistë belgë festojnë ditëlindjen në Gjirokastër sipas traditave shqiptare
Një grup prej 16 turistësh belgë kanë zgjedhur një mënyrë unike për të festuar ditëlindjen e njërit prej miqve të tyre, duke udhëtuar drejt Gjirokastrës dhe duke u veshur me kostume popullore shqiptare.
Turistët festuan mes rrugëve të kalldrëmta të qytetit të gurtë, duke shijuar atmosferën tradicionale dhe mikpritjen e banorëve. Disa prej tyre ishin vizitorë të rregullt të Gjirokastrës dhe shprehën vlerësime për natyrën dhe kulturën shqiptare.
“Unë e dashuroj kulturën dhe traditën shqiptare. Patëm ditëlindjen e një mikut tonë dhe menduam që ta festonim këtu, në këtë qytet të bukur,” tha njëri prej turistëve.
Në këto ditë pranvere, Gjirokastra po mirëpret një numër në rritje turistësh, të cilët shfaqin interes për vlerat historike, traditat dhe bukuritë natyrore që ofron jugu i Shqipërisë.