Zjarri katastrofik në Elbasan prej më shumë se 20 orësh, ndërhyrja nga ajri e pamundur

Prej paradites së të hënës, re të mëdha tymi toksik çlirohen nga ambientet e grumbullimit të skrapit në kompaninë Kurum në qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar ndotje katastrofike në ambient.

Flakët vazhdojnë prej më shumë se 20 orësh ku midis materialeve që digjen janë bateri makinash, vajra dhe materiale të tjera duke çliruar toksina në ambient.

Gjithçka ka ndodhur dje rreth orës 11:00 të paradites ku ka rënë zjarri në një nga pikat më të mëdha të grumbullimit të materialeve të skrapit të kompanisë Kurum.

Dje u tha se zjarri ka ndodhur për shkak të fërkimit të materialeve, por ky shkak nuk duket bindës. Ndërsa ende nuk dihet se kur mund të shuhen flakët, sasi të mëdha materialesh po zhvendosen për të bërë të mundur që zjarri të mos përhapet më tej.

 

 

Ende nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet, ndërsa zjarri është parë nga afër nga drejtori i emergjencave civile Haki Çako për të parë mundësinë e shuarjes së tij.

Për shuarjen e zjarrit u angazhuan mjetet e kompanisë dhe zjarrfikësit, ndërsa një ndërhyrje nga ajri ishte e pamundur. Gjatë kohës së zjarrit kanë ndodhur edhe shpërthime që sipas specialistëve janë bombula gazi të amortizuara. Grupi hetimor ka administruar prova për të zbuluar shkaqet e këtij zjarri masiv dhe tepër ndotës për qytetin.