“Tragjedia e gërdecit” SPAK përfundon hetimet/Fatmir Mediu i akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim

Prokuroria e Posaçme (SPAK) do ti komunikojë ditën e sotme dy akuza ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për çështjen e ‘Gërdecit’. Akuzat që rëndojnë mbi të janë ato të “shpërdorimit të detyrës” dhe të “shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim” me kuadrin komandues ushtarak. Mediu do të paraqitet në ambientet e Prokurisë së Posaçme në orën 14:00, ndërkohë që pritet të ketë dhe një komunikim për mediat.

Sipas SPAK, Mediu ka shkelur ligjin kur ishte ministër i Mbrojtjes duke shpërdoruar detyrën, veprime të cilat sollën tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë i plagosën. Ky është përfundimi që ka arritur pas hetimit disa mujor, Prokuroria e Posaçme (SPAK) për ish ministrin e Mbrojtjes.

Prokuroria e Posaçme ka hapur çështjen dhe vijon hetimet që prej një viti tashmë, për të identifikuar përgjegjësit kryesor të tragjedisë së Gërdecit.

SPAK kërkoi rigjykimin e Fatmir Mediut, pasi e akuzon si një nga ish-zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë. Apeli i GJKKO vendosi hapjen e çështjes duke marrë të pandehur ish-ministrin. Ndërkohë Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm duke pretenduar se vendimi i Apelit është antikushtetues. Sipas avokatëve të tij, ky vendim cënon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.