Muaji maj duket të ketë qenë një nga më frytdhënësit sa i takon punës së Policisë së Shtetit. Dhjetëra operacione për goditjen e kultivimit të kanabisit. Mijëra rrënjë të asgjësuara. Kilogramë kokaine të sekuestruara. Ngjarje të rënda kriminale të parandaluara. Mashtrues të arrestuar e të shumëkërkuar të vënë në pranga. Ky është bilanci i muajit Maj 2023. Një tjetër piketë e rëndësishme është edhe mbarëvajtja e zgjedhjeve të 14 majit. Në dallim nga zgjedhjet e kaluara, blutë këtë herë kanë qenë vigjilentë duke goditur çdo tentativë për shitblerje e dhunë.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Policia e Shtetit gjatë muajit maj 2023
✅Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në betejat e përditshme për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve kriminale të ndodhura.
✅Profesionalizëm, korrektesë dhe përkushtim, janë treguar gjithashtu për garantimin e mbarëvajtjes së të gjitha fazave të procesit të zgjedhjeve lokale.
5511 punonjës policie kanë qenë në terren 24 orë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, garantimin e lirisë së qytetarëve për të zgjedhur dhe rritjen e imazhit të vendit tonë në planin ndërkombëtar.
Edhe në këtë proces zgjedhor, Policia e Shtetit jo vetëm ruajti standardin e arrirë më parë në drejtim të mbarëvajtjes së proceseve zgjedhore në vend, por me profesionalizëm dhe paanësi kontribuoi për promovimin e mëtejshëm të rolit ligjor dhe të paanshëm të strukturave të Policisë së Shtetit, në këto procese.
✅Në vijim, një njësi policore tërësisht inovative, e mirëpajisur dhe e mirëtrajnuar, është institucionalizuar në javën e parë të muajit, për të garantuar sigurinë detare dhe t’iu ardhur në ndihmë pushuesve dhe turistëve që do të zgjedhin bregdetin e vendin tonë.
✅Gjatë muajit maj, janë finalizuar në total 79 operacione policore dhe janë kapur 68 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
✅Për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit, skuadra të posaçme policore të pajisura me dronë të teknologjisë së lartë, kanë finalizuar 13 operacione në qarqet Durrës, Lezhë dhe Shkodër. Në total, si rezultat i megaoperacioneve “Territor i pastër”, “Imazhi” dhe “Alpe të pastra”, u asgjësuan 39 613 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa. Për këto raste u vunë në pranga disa shtetas, si dhe vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale, për përcaktimin e autorësisë së rasteve të tjera.
✅Në vijim të luftës kundër narkotikëve, për konstatimin dhe goditjen e tentativave për të shpërndarë, shitur dhe trafikuar lëndë narkotike, janë finalizuar 17 operacione, si rezultat i të cilave janë sekuestruar 2.3 kg kokainë, 170 kg cannabis sativa, 70 bimë opiumi, vaj kanabisi dhe ekstazi.
✔️Në këtë fushë, gjatë këtij muaji, veçojmë megaoperacionet policore të koduara “Kodra e Diellit 2” dhe “Reset”, të zhvilluara në Tiranë dhe në Vlorë, në kuadër të të cilave u vunë në pranga 6 shtetas. Në Tiranë, 5 shtetasit e arrestuar shpërndanin kokainë në sasi të mëdha, ndërsa në Vlorë, një shtetas me precedent penal, transportonte 10 pako me 104 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
✅Në fushën e krimeve me objekt mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit, janë finalizuar 6 operacione për të cilat janë sekuestruar 22 armë zjarri dhe gjahu.
✔️Megaoperacioni policor i koduar “Arsenali”, i zhvilluar në Elbasan, pati impakt të gjerë publik pasi parandaloi një 53-vjeçar me precedent kriminal, i cili mbante në banesë një arsenal prej 6 armësh, që të kryente një ngjarje kriminale për të cilën kishte kërcënuar bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
✅Gjatë muajit maj 2023, janë parandaluar një sërë ngjarjesh kriminale në Vlorë, Durrës, Elbasan dhe Dibër, të cilat synoheshin të kryheshin për shkak të marrëdhënieve familjare ose për shkak të konflikteve të mëparshme ndërmjet shtetasve me precedent penal, si dhe të cilat mund të kryheshin duke përdorur armë zjarri.
✔️Në fushën e parandalimeve vlen të theksohet megaoperacioni policor i koduar “Plani”, i cili falë informacioneve të siguruara nga Policia e Elbasanit, bëri të mundur parandalimin e kryerjes së një atentati ndaj një shtetasi me precedent kriminal. Në vijim të këtij megaoperacioni, u vu në pranga autori kryesor dhe bashkëpunëtori i tij, si dhe u sekuestruan armët që do të përdoreshim për atentatin.
✅Gjithashtu është reaguar në kohë, përmes ndërhyrjes së menjëhershme në vendngjarje, identifikimit dhe arrestimit të autorëve, për 8 ngjarje kriminale, kryesisht plagosje dhe vjedhje.
✅Si rezultat i bashkëpunimit intensiv dhe i shkëmbimit të menjëhershëm të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë, është kapur në Rabat, Marok, vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj, ndërsa në Janinë janë kapur i shumëkërkuari për krime kundër personit, shtetasi Laert Haxhiu dhe shoqëruesi i tij, një 22-vjeçar i shpallur në kërkim për llogari të Policisë së Pogradecit, për plagosje të rëndë me dashje.
✅Për paligjshmëritë në fushën e krimeve ekonomike, janë finalizuar 8 operacione dhe janë goditur 80 raste.
✔️Megaoperacionet “Telegrami” dhe “Arkitekti”, të finalizuara nga strukturat qendrore të Policisë së Shtetit dhe nga Policia e Tiranës, goditën 2 raste të marrjes së shumave të konsiderueshme të parave, nga biznesmenë, me anë të mashtrimit. Nga këto operacione u sekuestruan 140 000 euro.
✔️18 operacione dhe aksione policore janë finalizuar për të zbardhur dhjetëra vjedhje të kryera gjatë këtij muaji, si dhe për të vënë në pranga autorët e tyre.
✅12 operacione dhe aksione policore u zhvilluan për të goditur me forcën e ligjit, rastet e transportimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave 300-1500 euro, për kalimin ilegal të kufirit shtetëror, me destinacion final vendet e BE-së.
✔️Në këtë fushë, për shkak të impaktit publik brenda dhe jashtë vendit, veçojmë operacionin policor të koduar “Strukturimi”, të zhvilluar në Kukës, i cili shkatërroi një rrjet ndërkombëtar të transportimit ilegal të emigrantëve. 6 shtetasit e huaj të vënë në pranga, anëtarë të këtij rrjeti të mirëstrukturuar kriminal, hapën zjarr mbi punonjësit e Policisë dhe iu rrezikuan atyre seriozisht jetën.
✅Përgjatë këtij muaji, shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë, me korrektesë dhe humanizëm, për ofrimin e ndihmës për 13 turistë nga shtete të ndryshme, të cilëve iu rrezikohej jeta në det dhe në terrene malore të thepisura, në malin e Brretit, në Dukat dhe në Korçë.
Për ofrimin e ndihmës për turistët e izoluar në terrene të vështira malore, është angazhuar maksimalisht njësia e Policisë Alpine e FNSH Shkodër.
✅Gjithashtu, kontrollet në terren, të mbështetura nga inteligjenca policore, mundësuan goditjen e 82 rasteve të krimeve mjedisore, si dhe finalizimin e 4 operacioneve për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
✅Në vijim është bashkëpunuar ngushtësisht me oficerët e sigurisë në shkolla, stafet pedagogjike dhe me qeveritë e nxënësve, me qëllim parandalimin e konflikteve dhe fenomeneve negative në shkolla, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë me synim zhvillimin e një procesi mësimor sa më të sigurtë.
🚔Shërbimet e Policisë Rrugore, të mirëpajisura me fjalën e fundit të teknologjisë, kanë intensifikuar monitorimin e akseve rrugore, në prag të sezonit turistik, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës.
-Gjatë këtij muaji, janë vënë në pranga 112 drejtues mjetesh, nga të clët 64 për drejtim të mjetit, nën efektin e alkoolit dhe 48 për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi.
-Gjithashtu, janë pezulluar 624 leje drejtimi, nga të cilat 465 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 100 për drejtim mjeti, në ndikimin e pijeve alkoolike dhe 59 për qarkullim në sens të kundërt me lëvizjen.
✅Policia Kufitare ka intensifikuar kontrollet në të gjitha pkk-të e vendit, të bazuara në analizat e riskut, me qëllim qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve, si dhe për garantimin e një sezoni turistik të sigurtë dhe të qetë.
✔️Në këtë kuadër, falë masave të ndërmarra për zbatimin e ligjit dhe të rregullave të lundrimit, përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit, u bllokuan 21 mjete ujore që drejtoheshin në kundërshtim me ligjet dhe me rregullat e lundrimit.
✔️Rreth 111 150 euro të padeklaruara në pikat e kalimit kufitar, u sekuestruan si rezultat i kontrolleve me shërbime të shtuara dhe me asistencën e pajisjeve të teknologjisë bashkëkohore.
✔️Gjithashtu, janë goditur: 2 raste të trafikimit të lëndëve narkotike, 35 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 8 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin dhe 2 raste të trafikimit të mjeteve.
Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, në qendër dhe në qarqe, vijojnë kontrollet në terren, inicimin e hetimeve proaktive dhe finalizimin e operacioneve policore, me objektiva garantimin e sundimit të ligjit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Gjithashtu, profesionistë dhe të besueshëm për partnerët, shërbimet e Policisë së Shtetit vijojnë punën në bashkëpunim me organizata të ndryshme policore, për drejtimin dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe qarkullimit të shtetasve me tendenca kriminale.
Vijon bashkëpunimi edhe me kolegët e GDF-së për monitorimin ajror të zonave malore dhe të terreneve të vështira, në zona të thella të vendit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike.
#Tëangazhuarpërsundimineligjit👮🏻👮🏻️
#Policianënjëmuaj✅
#Maj2023✅